Urgjenca e Spitalit Rajonal të Shkodrës ka përballuar gjatë muajve të verës një fluks të shtuar pacientësh, me numrin e vizitave që ka arritur në 220 raste në ditë. Shefi i Urgjencës, Ardian Dajti, e konsideron këtë një nga periudhat më të ngarkuara që prej nisjes së aktivitetit në spitalin e ri.
“Unë kam shumë vite që punoj këtu, qoftë edhe në drejtimin e urgjencës, edhe të kirurgjisë, dhe kjo besoj ka qenë vera më e ngarkuar për nga numri i vizitave. Ne fillimisht, kur kemi filluar në spital, edhe kur ka ardhur këtu, kemi pasur mesatarisht 70-80 vizita. U bënë 100, filloi të shtohej aktiviteti i turizmit, 150 u bë normale dhe tashmë kemi arritur deri në 200-220 vizita, që ishte një ngarkesë realisht”, tha Dajti.
“Një pjesë e rasteve të trajtuara kanë qenë edhe turistë të dëmtuar gjatë lëvizjeve në zonat malore të veriut. Dajti ngre shqetësimin për lëvizjen e turistëve në zona të panjohura pa shoqërues apo persona që njohin terrenin, çka sipas tij rrit mundësinë e aksidenteve. Kryesisht shohim që, ndër traumat, pjesën dërrmuese e zënë jo vetëm aksidentet rrugore, por kemi plot raste edhe me turistë, të cilët, duke lëvizur pa drejtues ose pa shoqërues, pësojnë aksidente, bien nga lartësitë për shkaqe të ndryshme. Pra, shumica janë fraktura”, tha ai.
Pavarësisht ngarkesës së shtuar, strukturat e Urgjencës kanë vijuar të përballojnë fluksin, duke përshtatur angazhimin e personelit me numrin e rasteve./RTSH

