Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera në dy lokacione në veri të vendit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, kontrollet janë zhvilluar më 27 shtator, pas informatave të pranuara se në fshatin Dren të Leposaviqit dhe në fshatin Shipovë të Zubin Potokut mund të gjendeshin armë dhe mjete të tjera ilegale.
Në rastin e parë, gjatë kontrollit në një objekt të përdorur si stallë në fshatin Dren, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë përsëritëse M-56, një pistoletë CZ-99 të kalibrit 9 mm dhe një pistoletë CZ Mod-70 të kalibrit 7.65 mm.
Po ashtu, janë sekuestruar 99 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 10 fishekë të kalibrit 7.65 mm.
Në lidhje me këtë rast është arrestuar S.V., i lindur më 1971, i cili është intervistuar në Stacionin Policor në Leposaviq në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkaq, në rastin e dytë, gjatë bastisjes së një shtëpie të pabanuar në fshatin Shipovë të Zubin Potokut, policia ka gjetur një pushkë automatike AK-47, së bashku me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë të kalibrit përkatës.
Në këtë lokacion janë sekuestruar edhe një pushkë gjuetie M-48 me 186 fishekë për armë të gjatë, një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim.
Për rastin në Shipovë, deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, për të dyja rastet është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Telegrafi/

