Sot në Shkup do të mbahet marshi protestues me moton “Jo në emrin tim!”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit të Këshillit Organizativ, marshi do të nisë në orën 14:00 nga Sheshi “Skënderbeu” në Shkup.
Në protestë janë ftuar të marrin pjesë qytetarët, familjarët e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, ish-të burgosurit politikë, studentët, profesorët, akademikët dhe artistët.
Ftesa u është drejtuar gjithashtu përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe subjekteve politike shqiptare.
Organizatorët kanë bërë të ditur se marshi synon të zhvillohet në mënyrë paqësore, qytetare dhe dinjitoze, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të respektojnë rendin dhe qetësinë publike.

