Një numër përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik si dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kërkuan nga Avokati i Popullit Naim Qelaj, që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në kërkesë thuhet se duhet të sqarohen nëse mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është zgjeruar përtej kufijve të autorizimit të dhënë nga neni 162 i Kushtetutës së Kosovë.
Në kërkesë thuhet se neni 162, paragrafi 1, i Kushtetutës lejon themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me qëllim që Republika e Kosovës t’i përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare lidhur me Raportin me numër 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të datës 7 janar 2011(i hartuar nga raportuesi Dick Marty).
Ndërkohë që Ligji thuhet se përcakton po ashtu që këto institucione janë themeluar për procedura lidhur me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare, të cilat lidhen me pretendimet e raportit dhe kanë qenë objekt i hetimeve nga Task Forca Hetimore Speciale.
Nga kjo thuhet se rezulton që Kushtetuta nuk ka dhënë autorizim të pakufizuar për krijimin e një juridiksioni të përgjithshëm penal.
“Ajo ka lejuar një mekanizëm të specializuar, brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës, për një qëllim të caktuar kushtetues dhe me lidhje të përcaktuar me pretendimet që çuan në themelimin e tij”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesë thuhet se përmbledhja e aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit e ka bërë më të dukshme mënyrën se si janë interpretuar dhe zbatuar këto dispozita.
Përmbledhja thuhet se përfshin vlerësime të gjera mbi historinë, organizimin, udhëheqjen dhe strukturat politike e ushtarake të UÇK-së, komunikatat publike, emërimet, shërbimet e inteligjencës, policinë ushtarake, zonat operative, si dhe objektivat e sigurimit të pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së kontrollit politik dhe institucional.
“Trupi gjykues ka deklaruar se çështja nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo me qëllimin e saj për një Kosovë të pavarur. Ky sqarim është i rëndësishëm. Megjithatë, shtrirja e analizës ngre pyetjen nëse lidhja me pretendimet konkrete të Raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka funksionuar si kufizim real dhe efektiv i juridiksionit, apo si pikënisje për ushtrimin e një juridiksioni shumë më të gjerë mbi organizimin dhe veprimtarinë e UÇK-së gjatë dhe pas luftës”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesë thuhet se nëse shprehja “të cilat ndërlidhen me Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës” interpretohet aq gjerësisht sa të përfshijë çdo krim të pretenduar, person, strukturë, politikë apo zhvillim që ka lidhje të përgjithshme historike me UÇK-në, kufizimi i nenit 6 rrezikon të humbasë efektin e vet juridik.
(Emrat e nënshkruesve janë renditur sipas alfabetit)
1. Prof. Dr. Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës
2. Abit Hoxha, profesor asistent në Institutin për Studime Nordike dhe të Medias, Universiteti i Agderit, Norvegji
3. Agon Maliqi, aktivist i shoqërisë civile
4. Dr. Armend Bekaj, hulumtues në Departamentin për Hulumtime të Paqes dhe Konfliktit, Universiteti i Uppsalës, Suedi
5. Dr. Artan Mustafa, Universiteti i Prishtinës
6. Bajram Geci, hulumtues doktorature
7. Dr. Butrint Berisha, hulumtues
8. Dr. Fisnik Korenica, profesor i asociuar i së drejtës në Universitetin e Prishtinës
9. Fisnik Rexhepi, aktivist i shoqërisë civile
10. Ideal Zhaveli, drejtor ekzekutiv i ACTIVISM ROOTS
11. Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI)
12. Jeta Loshaj, aktiviste e shoqërisë civile
13. Laura Kryeziu, Këshilli për Lidership dhe Zhvillim (LGC)
14. Leonora Kryeziu, drejtore ekzekutive e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
15. Dr. Liridon Lika, ligjërues dhe hulumtues në Qendrën për Studime të Marrëdhënieve
Ndërkombëtare, Departamenti i Shkencave Politike, Universiteti i Liezhit, Belgjikë
16. Dr. Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të
Politikave (KIPRED)
17. Naim Rashiti, drejtor i Grupit për Hulumtim të Politikave Ballkanike (BPRG)
18. Dr. Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve Evropiane në Universitetin e Amsterdamit
19. Dr. Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë
(QKSS)
20. Dr. Robert Muharremi, profesor asistent në RIT Kosovo
21. Senad Sabovic, aktivist i shoqërisë civile
22. Shenoll Muharremi, aktivist i shoqërisë civile
23. Shpëtim Selmani, poet
24. Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”. /Kp/

