Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar drejtuesit politikë të vendit për shtimin e kërcënimeve që, sipas shërbimeve franceze të inteligjencës, lidhen me aktivitetet hibride të Rusisë ndaj shteteve evropiane që mbështesin Ukrainën.
Gjatë një takimi të zhvilluar me dyer të mbyllura, ku ishin të pranishëm edhe drejtues të shërbimeve franceze të inteligjencës, Macron u paraqiti përfaqësuesve politikë dokumente, harta dhe skenarë që lidhen me rreziqet e mundshme ndaj Francës.
Sipas raportimeve të “La Repubblica”, autoritetet franceze janë veçanërisht të shqetësuara për mundësinë e sabotimeve, përdorimit të dronëve dhe sulmeve kibernetike. Këto veprime mund të shkaktojnë pasoja të konsiderueshme edhe pa u shndërruar në një sulm ushtarak tradicional.
Një burim i inteligjencës franceze, i cituar nga gazeta, ka deklaruar se do të ishte “e papërgjegjshme” që Franca të mos përgatitej për zhvillime të ngjashme me ato që tashmë janë vërejtur në disa vende evropiane.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve, dronët mund të përdoren për të ndërprerë aktivitetin në aeroporte, për të penguar zinxhirët e furnizimit dhe logjistikës, për t’iu afruar objekteve strategjike industriale apo edhe për të detyruar mbylljen e përkohshme të infrastrukturave të rëndësishme.
Përballë këtyre rreziqeve, qeveria franceze ka shtuar masat e sigurisë dhe po përgatit një plan të posaçëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe objekteve të industrisë së mbrojtjes nga kërcënimet me dronë dhe sulmet kibernetike.
Parisi po shqyrton gjithashtu mundësinë që operatorët privatë të disa infrastrukturave jetike të pajisen, nën mbikëqyrje të rreptë, me mjete që do të mundësonin neutralizimin e dronëve.
Përveç kërcënimeve fizike, autoritetet franceze kanë ngritur shqetësime edhe për sulmet kibernetike dhe fushatat e ndikimit në internet. Sipas inteligjencës franceze, Rusia mund të shfrytëzojë rrjete llogarish dhe metoda të amplifikimit artificial për të krijuar përshtypjen se një qëndrim i caktuar po mbështetet spontanisht nga opinioni publik.
Sipas këtij vlerësimi, synimi nuk do të ishte domosdoshmërisht favorizimi i një kandidati të caktuar politik, por krijimi i konfuzionit, thellimi i ndarjeve shoqërore dhe dobësimi i besimit të qytetarëve në proceset demokratike.
Macron ka theksuar se kërcënimi “ekziston dhe është real”, duke nënvizuar se Franca duhet të jetë e përgatitur edhe për skenarin e një sulmi fizik në territorin e saj.
The post Franca rrit gatishmërinë ndaj kërcënimeve të mundshme nga Rusia appeared first on Gazeta Express.

