Draft-Plani Hapësinor 2040 për Rajonin Planor Juglindor ka shkaktuar reagime në një pjesë të opinionit publik, veçanërisht lidhur me mundësinë e hapjes së minierave të reja dhe ndikimin e tyre të mundshëm në bujqësi dhe mjedis.
Shoqata qytetare „Zdrava Kotlina“ ka bërë thirrje për bashkim masiv kundër hapjes së minierave të reja. Nga kjo shoqatë vlerësojnë se zgjidhjet e parapara në plan hapin mundësi për rikonvertimin e tokës në zonë të dedikuar për industrinë e rëndë, G1, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme ndaj tokës bujqësore dhe mjedisit jetësor.
„Prania e një lokacioni të caktuar ose e një lënde minerale në dokumentacionin hapësinor apo planor nuk do të thotë automatikisht se në atë lokacion do të ndërtohet minierë. Për realizimin e një projekti konkret minerar nevojiten edhe procedura të tjera, leje dhe përmbushja e kushteve ligjore“, thuhet në thirrjen e shoqatës qytetare „Zdrava Kotlina“.
Nga shoqata theksojnë se një çështje veçanërisht e rëndësishme për Fushën e Strumicës është mbrojtja e ujërave. Sipas tyre, gjatë përgatitjes së planit hapësinor janë përfshirë disa fusha që lidhen me menaxhimin e ujërave, bujqësinë, natyrën, infrastrukturën dhe ndryshimet klimatike.
Edhe LSDM-ja ka paralajmëruar bllokim gjatë miratimit të planit të ri hapësinor. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se Maqedonia nuk është në shitje dhe se vendi nuk mund të shitet për interesa të caktuara në dëm të shëndetit të qytetarëve, duke kërkuar tërheqjen e planit.
Nga e Majta prej një kohe më të gjatë kërkojnë vendosjen e moratoriumit për dhënien e koncesioneve të reja dhe për të gjitha procedurat që lidhen me minierat e planifikuara. Deputeti Borislav Krmov tha se është e papranueshme të luhet me mjedisin jetësor dhe natyrën.
Ndërkohë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor më herët e ka informuar publikun se ka filluar cikli i debateve publike rajonale për Draft-Planin Hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2040.
Nga ministria theksojnë se debati publik është një mundësi për t’u njohur me zgjidhjet e propozuara planore, si dhe për të dhënë mendime, propozime dhe vërejtje gjatë procesit të përgatitjes së një prej dokumenteve më të rëndësishme strategjike për zhvillimin hapësinor të shtetit.

