Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë ishte një përpjekje për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke akuzuar Serbinë se kishte mbështetur, financuar, trajnuar dhe udhëzuar grupin paramilitar të drejtuar nga Millan Radoiçiq.
Kurti i bëri këto deklarata të enjten, në akademinë përkujtimore kushtuar rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë.
Duke folur për zhvillimet në veri të Kosovës, kryeministri tha se për shumë vite kjo pjesë e vendit ishte konsideruar vatër destabilizimi dhe zonë ku vepronin struktura paralele dhe grupe kriminale.
“Në vazhdimësi e për shumë vite është shkruar dhe përfolur për veriun e Kosovës si vatër destabilizimi, tokë e askujt, zonë e pakontrolluar ku lulëzon krimi i organizuar, strukturat paralele dhe grupet kriminale”, tha Kurti.
Sipas tij, përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të ndryshuar këtë gjendje u përballën me mobilizimin e strukturave që ai tha se drejtoheshin nga Beogradi.
Kurti përmendi barrikadat, sulmet ndaj institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet dhe vendosjen e forcave ushtarake serbe pranë kufirit si përpjekje të Serbisë për të ruajtur ndikimin në veri.
“Serbia dështoi disa herë të ruante ndikimin e saj të madh në veriun e shtetit tonë. Nuk funksionuan as barrikadat, as sulmet e përsëritura ndaj institucioneve tona dhe KFOR-it, as dorëheqjet kolektive të orkestruara”, deklaroi ai.
Kurti: Në Banjskë synuan të imitonin metodën ruse të aneksimit
Duke iu referuar drejtpërdrejt sulmit të 24 shtatorit 2023, Kurti tha se qëllimi ishte aneksimi i territorit, ndërsa grupin e udhëhequr nga Radoiçiq e lidhi drejtpërdrejt me shtetin serb.
“Në këtë situatë të re, synuan të imitojnë përsëri një tjetër metodë hibride të Rusisë: aneksimin e territorit. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë tri vite më parë, u bë nga një grup terroristësh të mbështetur e financuar, trajnuar dhe instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Millan Radoiçiq”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se gjatë përballjes me grupin u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos polici Alban Rashiti.
Tre vjet pas sulmit, Kurti kërkoi që Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të përballen me drejtësinë në Kosovë.
“Tre vite nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa u ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake të organizuar ndaj shtetit tonë dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi”, deklaroi kryeministri.
Kurti: Afrim Bunjaku u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen
Në fjalimin e tij, Kurti e cilësoi Bunjakun hero, duke thënë se ai ra në krye të detyrës në mbrojtje të sovranitetit, rendit publik dhe sundimit të ligjit.
“Afrimi, heroi ynë, i doli në ballë terroristëve të këtij agresioni shtetëror e sulmi kriminal. Ai u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, pas neutralizimit të grupit në Banjskë ka nisur funksionimi më i gjerë i institucioneve të Kosovës në veri.
Kurti renditi një sërë masash të ndërmarra gjatë tri viteve të fundit, duke përmendur mbylljen e 62 institucioneve që Qeveria e Kosovës i konsideron paralele dhe ilegale, mbylljen e pikave të Postës së Serbisë dhe të kompanisë NIS Petrol, si dhe mbylljen e rrugëve ilegale që, sipas tij, përdoreshin për kontrabandë.
Ai përmendi gjithashtu heqjen nga përdorimi të targave dhe patentë-shoferëve të lëshuar nga strukturat serbe, rregulloren që kufizoi përdorimin e dinarit serb për pagesa me para të gatshme dhe fillimin e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore.
Sipas shifrave të paraqitura nga Kurti, gjatë kësaj periudhe janë hapur 844 biznese të reja, 71 familje janë kthyer në shtëpitë e tyre të uzurpuara, ndërsa 51 familje janë rikthyer në shtëpitë që u përkisnin, por që ishin djegur ose rrënuar.
Kurti tha se në veri janë hapur edhe degë dhe zyra të institucioneve të Kosovës, përfshirë Postën e Kosovës, zyrat komunale të Kadastrit, Agjencinë e Punësimit, Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencinë e Pyjeve dhe Administratën Tatimore.
Ai tha se prania e institucioneve të Kosovës në veri ka mundësuar edhe kërkimet në lokacione ku dyshohej për varreza masive nga lufta e viteve 1998-1999. Sipas tij, në gërmimet në Jabukë dhe Kalludër të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të 23 personave.
Duke folur për gjendjen e sigurisë, Kurti deklaroi se sundimi i ligjit është forcuar dhe se qytetarët në veri janë më të sigurt.
“Republika është më e sigurt se asnjëherë më parë, e secili qytetar në veri të vendit jeton i lirë, i mbrojtur nga shteti”, tha Kurti.
Në përfundim, kryeministri tha se kontributi i Afrim Bunjakut mbetet i lidhur me zhvillimet që pasuan sulmin e Banjskës dhe e cilësoi atë frymëzim për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Afrim Bunjaku është frymëzim dhe orientim për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës. Ai është dëshmia sesi zyrtari publik e mbron shtetin e së drejtës dhe të drejtën e shtetit”, përfundoi Kurti./Telegrafi/

