Kuvendi i Shqipërisë miratoi këtë të enjte, 24 shtator, me 106 vota pro angazhimin e Shqipërisë në një mision paqeruajtës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Pas votimit në Kuvend ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi vendimin si një hap konkret të Shqipërisë në mbështetje të përpjekjeve për paqe dhe siguri ndërkombëtare.
“Një vendim që e shndërron angazhimin e Shqipërisë për paqen në një kontribut konkret në terren”, u shpreh Nufi.
Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në krah të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për paqe.
“Si aleat i vendosur, Shqipëria qëndron krah për krah me SHBA në përpjekjet për paqe me përgjegjësi, solidaritet dhe kontribut për sigurinë ndërkombëtare”, deklaroi Nufi.
Vendimi i Kuvendit i hap rrugë angazhimit të trupave shqiptare në misionin e parashikuar në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit.

