Pas publikimit në media të rastit të dhunës mes dy grupeve të të rinjve në Tetovë edhe atë dy herë brenda pak ditësh, Sektori i Punëve të Brendshme i Tetovës, ka nisur hetimin për zbardhjen e rastit. Sipas informatave nga SPB e Tetovës, po analizohen edhe pamjet e marra nga kamerat e sigurisë në qytet me qëllim identifikimin e kryerësve të dhunës dy netë më parë.
“Po merren gjitha masat nga ana e pjesëtarëve të SPB Tetovë me informatat që japin qytetarët dhe po punohet në identifikimin e personave të implikuar në këtë rast. Po ashtu, SPB Tetovë, ka thirr në biseda informative përgjegjës nga dy tifo grupet e ekipeve të futbollit të Tetovës, me qëllim të parandalimit që në të ardhmen të ketë raste të tilla që të mos vjen deri tek eskalimi i situatës.
Shpresoj të hasim në mirëkuptim dhe qytetarët të marrin masa me fëmijët e tyre sepse shpesh e dimë se keqpërdoren fëmijët e mitur për raste të tilla që janë shfaq kohëve të fundit”, u shpreh Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Pas alarmimit të situatës, Policia e Tetovës mbrëmë dhe sot në pikat kyçe të qytetit ku zakonisht ndodhin përplasjet, sidomos në orët e mbrëmjes, ka shtuar prezencën e uniformave blu, me qëllim grumbullimin e informatave dhe parandalimin e rrahjeve mes të rinjve që dyshohet se janë pjesë e grupeve “vojvodëve” dhe të “Ballistëve”.
“Qëllimi kryesor i prezencës së policisë është që të sigurojë sa më shumë informata lidhur me rastin në fjalë që të mos merren në qafë persona që nuk janë implikuar. Të identifikohen të miturit që atë natë ishin në atë vend prezent dhe që së bashku me prindërit e tyre të thirren në stacion për t’u marr masa në bashkëpunim me Qendrën për Punë dhe Politikë Sociale me qëllim këto raste në të ardhmen të mos ndodhin në rajonin që mbulon SPB Tetovë”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Ndryshe, sipas informatave të televizionit Alsat, gjatë javës dy netë rresht janë përplasur grupe të rinjsh të cilët gjatë rrahjes dyshohet të kenë përdorur edhe mjete të forta dhe të mprehta, ndërsa me lëndime kanë mbetur tre persona./Alsat/

