Joshua Hafetz, prokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në fjalën përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe bashkë të akuzuarve të tij, ka folur për 28 orë incizime të ish-presidentit të Kosovës.
Hafetzi ka deklaruar se këto incizime janë pranuar si prova në këtë çështje gjyqësore dhe janë realizuar gjatë nëntë vizitave të veçanta, në një periudhë prej katër muajsh.
Sipas tij, pesë prej këtyre vizitave përfshinin biseda të Thaçit me bashkë të akuzuarit në këtë proces.
“Janë pranuar në këtë çështje gjyqësore 28 orë incizime të zotit Thaçi, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në një periudhë katërmujore, përfshirë pesë vizita ku Thaçi ka folur me bashkë të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore”, ka deklaruar Hafetzi, transmeton Zeri.info.
Prokurori i ZPS-së ka pretenduar se përmbajtja e incizimeve tregon një mënyrë të përsëritur të komunikimit nga Thaçi me vizitorët e tij.
Sipas Hafetzit, Thaçi fillimisht fliste me zë normal për tema të përditshme, ndërsa më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste, për të dhënë, sipas pretendimit të prokurorisë, udhëzime konkrete lidhur me atë se çfarë duhej t’u thoshin vizitorët dëshmitarëve.
“Vizitë pas vizite, Thaçi ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet t’u thoshin vizitorët dëshmitarëve, për të zbehur akuzat”, ka thënë Hafetzi.
Këto deklarime janë pjesë e argumenteve të ZPS-së në fjalën përmbyllëse të procesit gjyqësor. Mbrojtja e Thaçit dhe bashkë të akuzuarve pritet të paraqesë argumentet e saj përfundimtare lidhur me provat dhe pretendimet e prokurorisë. /Zëri

