Seanca e Kuvendit të Zrenjaninit të Serbisë nisi me një minutë heshtje në nderim të kriminelit të luftës Ratko Mlladiqit, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Në shenjë proteste ndaj këtij veprimi, këshilltarët e LSV-së, PSG-së, ZLF-së, Srce dhe SSP-së u larguan nga salla gjatë minutës së heshtjes.
Opozita deklaroi se refuzon të marrë pjesë në atë që e cilësoi si “rrëshqitje civilizuese” dhe keqpërdorim të Kuvendit të qytetit.
“Refuzojmë të marrim pjesë në radikalizimin e turpshëm të hapësirës publike dhe në imponimin e fajit kolektiv ndaj qytetarëve të Zrenjaninit”, thanë përfaqësuesit e opozitës.
Sipas tyre, Kuvendi i qytetit duhet të jetë vend që promovon jetën, tolerancën dhe zhvillimin e Zrenjaninit, dhe jo “arenë për glorifikimin e politikës së krimeve që e ka kthyer prapa të gjithë rajonin”.
“Në Zrenjanin nuk ka vend për kriminelë lufte”, theksuan ata.
Ky nuk është rasti i parë në ditët e fundit që një kuvend lokal në Serbi nis punimet me një minutë heshtje për Mlladiqin. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe kuvendet e Novi Sadit dhe Nishit, ku pjesëtarë të opozitës gjithashtu kanë kundërshtuar këtë veprim.
Ratko Mlladiq vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në spitalin e burgut në Hagë. Në vitin 2017, ai u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
The post Glorifikimi i Mlladiqit shkon edhe në Kuvendet lokale të Serbisë, opozita braktis sallën në Zrenjanin appeared first on Gazeta Express.

