By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Pupovci: Rezultatet e PISA-s nuk duhet të harrohen pas dy-tri ditësh
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Pupovci: Rezultatet e PISA-s nuk duhet të harrohen pas dy-tri ditësh
Lajme

Pupovci: Rezultatet e PISA-s nuk duhet të harrohen pas dy-tri ditësh

Momenti
Published: September 9, 2026

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, ka vlerësuar se rezultatet e dobëta të Kosovës në PISA janë pasojë e problemeve të grumbulluara ndër vite dhe e moszbatimit të reformave arsimore.

Në një intervistë për RTKLive, ai tha se ndryshimet duhet të nisin që në klasat e hershme, veçanërisht në leximin me kuptim dhe bazat e matematikës, ndërsa institucionet duhet të sigurojnë mbështetje të vazhdueshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Your browser does not support the video tag.

Ai tha se alarmi pas publikimit të rezultateve të PISA-s zgjat dy-tri ditë, pastaj çështja shkon në harresë deri në publikimin e rezultateve të radhës.

RTKLive: Z. Pupovci, edhe këtë herë Kosova nuk doli mirë në rezultatet e PISA-s. Pse po përsëritet kjo situatë?

Pupovci: Sepse masat për ndryshimin e gjendjes nuk po zbatohen me vazhdimësinë dhe seriozitetin e nevojshëm. Ndërkohë, alarmi pas publikimit të rezultateve të PISA-s zgjat dy-tri ditë, pastaj çështja shkon në harresë deri në publikimin e rezultateve të radhës.
Problemet që evidenton PISA grumbullohen gjatë gjithë shkollimit. Një fëmijë që nuk e zotëron leximin me kuptim në klasat e hershme do të ketë vështirësi edhe në matematikë, shkencë dhe lëndë të tjera. Nëse këto vështirësi nuk identifikohen dhe trajtohen me kohë, nxënësi kalon nga një klasë në tjetrën, ndërsa boshllëqet mbeten dhe thellohen.

RTKLive: A mund të jetë performanca e dobët e Kosovës në PISA rezultat i dallimeve në sistemin arsimor krahasuar me vendet e tjera?

Pupovci: Dallimet ndërmjet sistemeve arsimore kanë rëndësi, por nuk e shpjegojnë dhe nuk e arsyetojnë këtë nivel të rezultateve. PISA vlerëson nëse nxënësit dinë t’i përdorin njohuritë: të kuptojnë një tekst, të zgjidhin një problem dhe të arsyetojnë.
Kosova dhe Shqipëria kanë një qasje shumë të ngjashme kurrikulare, të bazuar në kompetenca, ndërsa rezultatet e raportuara janë dukshëm të ndryshme. Çështja kryesore për ne është sa po zbatohet kurrikula në praktikë dhe sa po përkthehet ajo në njohuri e shkathtësi të përdorshme për nxënësit.

RTKLive: Çfarë duhet të bëjë Kosova për të përmirësuar rezultatet e nxënësve në PISA?

Pupovci: Problemi më i madh është fakti se një pjesë shumë e madhe e fëmijëve tanë, në moshën 15-vjeçare, pas rreth nëntë vjetësh shkollimi, nuk i zotërojnë kompetencat bazë funksionale. PISA vetëm po na e vë në dukje këtë problem.
Prandaj, duhet të punojmë për ta përmirësuar të nxënit dhe për t’i përgatitur fëmijët për jetë. Përmirësimi në PISA duhet të vijë si pasojë e kësaj pune.
Duhet të fillojmë nga klasat e hershme, me leximin me kuptim dhe bazat e matematikës. Shkollat duhet të identifikojnë rregullisht nxënësit që kanë vështirësi dhe t’u ofrojnë menjëherë mbështetje konkrete, përfshirë mësim plotësues të përshtatur sipas nevojave. Nuk mund të presim deri në moshën 15-vjeçare për ta konstatuar problemin.
Njëkohësisht, duhet të shfrytëzojmë kohën e mësimit, të zvogëlojmë mungesat dhe të sigurohemi se ora përdoret për të nxënë. Mësimdhënësve u duhen materiale cilësore, udhëzime praktike dhe mbështetje profesionale në shkollë. Ndërsa ministria dhe komunat duhet t’i financojnë këto masa dhe ta sigurojnë në vazhdimësi të dhëna të besueshme për atë që po mësojnë nxënësit.

RTKLive: Ka edhe fusha ku Kosova ka shënuar përmirësim, siç është TIK-u. Si e shpjegoni këtë progres?

Pupovci: Nëse i referoheni “Computational problem solving”, pra zgjidhjes kompjuterike të problemeve, të dhënat nuk e mbështesin përfundimin se kemi shënuar progres.
Kosova ka arritur 359 pikë, kundrejt mesatares prej 500 pikësh të OECD-së. Sipas mesatares së pikëve, renditet e 80-ta ndër 84 vendet dhe ekonomitë me të dhëna në këtë fushë. Pra, mbetemi ndër pjesëmarrësit me rezultatet më të ulëta.
Për kompetencat digjitale duhet të marrim parasysh edhe studimin ndërkombëtar ICILS, ku Kosova mori pjesë në vitin 2023 dhe nuk doli mirë. ICILS vlerëson aftësinë për ta përdorur kompjuterin për kërkim, përpunim, krijim dhe komunikim të informacionit.

RTKLive: A ka nevojë Kosova për një strategji afatgjatë dhe konkrete për përmirësimin e arsimit dhe rezultateve në PISA?

Pupovci: Po, arsimi ka nevojë për orientim afatgjatë, por Kosova ka strategji arsimore prej vitit 2002 dhe tani po hartohet strategjia e re. Këto janë dokumente gjithëpërfshirëse, me plane veprimi dhe buxhete. Problemi ynë kryesor është moszbatimi i tyre.
Për çdo masë duhet të dihet kush është përgjegjës, kur duhet të përfundojë, sa mjete janë siguruar dhe si do të vlerësohet rezultati. Institucionet duhet të raportojnë publikisht për atë që është realizuar, për atë që ka mbetur pa u realizuar dhe për arsyet e vonesave.
Duhet gjithashtu vazhdimësi përtej mandateve qeverisëse. Reformat arsimore kërkojnë kohë, financim dhe punë të qëndrueshme. Vlera e strategjisë së re do të shihet në ndryshimet që ajo sjell në shkolla dhe në përparimin e nxënësve.

RTKLive: Sa ndikojnë cilësia e mësimdhënies, përgatitja e mësimdhënësve dhe kushtet në shkolla në rezultatet e nxënësve?

Pupovci: Ndikojnë shumë dhe PISA sjell të dhëna që na ndihmojnë t’i kuptojmë këto lidhje. Një problem i evidentuar është klima disiplinore në klasë.
Rreth 35% e nxënësve në Kosovë raportojnë se shokët e klasës nuk e dëgjojnë mësimdhënësin gjatë orëve të shkencës, ndërsa 24% thonë se nuk mund të punojnë mirë në shumicën ose në të gjitha këto orë. Këto janë kushte që e vështirësojnë të nxënit.
Pavarësisht trajnimeve të shumta dhe reformimit të programeve universitare për përgatitjen e mësimdhënësve, cilësia e mësimdhënies mbetet problem serioz. Duhet të vlerësojmë sa po ndryshon praktika në klasë pas këtyre trajnimeve. A po shpjegohen konceptet më qartë? A po përfshihen të gjithë nxënësit? A po identifikohen vështirësitë dhe a po përshtatet mësimi sipas tyre?
Mësimdhënësve u duhet mbështetje e vazhdueshme: mentorim, vëzhgim i orëve me informacion kthyes dhe bashkëpunim profesional me kolegët. Përgatitja universitare duhet të lidhet më fort me praktikën në shkollë.
Drejtorët duhet të udhëheqin punën pedagogjike, ndërsa institucionet duhet të sigurojnë materiale dhe kushte të përshtatshme. Përmirësimi i klimës në klasë kërkon rregulla të qarta, marrëdhënie të respektueshme dhe mësim që i angazhon nxënësit.

RTKLive: A duhet të ndryshojë mënyra se si mësohet dhe vlerësohet në shkollat e Kosovës, në mënyrë që nxënësit të zhvillojnë më shumë aftësi praktike dhe mendim kritik?

Pupovci: Po, dhe ky ndryshim duhet të shihet në përditshmërinë e klasës. Kurrikula jonë tashmë parashikon zhvillimin e kompetencave, por duhet ta bëjmë këtë kërkesë të zbatueshme përmes mësimdhënies, teksteve dhe vlerësimit.
Nxënësi duhet të mësojë ta shpjegojë përgjigjen, ta arsyetojë zgjedhjen e një zgjidhjeje dhe ta përdorë njohurinë në një situatë të re. Në matematikë, për shembull, duhet të kuptojë kur dhe pse përdoret një formulë. Në lexim duhet të interpretojë tekstin dhe të argumentojë duke u mbështetur në të. Në shkencë duhet të shtrojë pyetje, të shqyrtojë prova dhe të nxjerrë përfundime.
Mendimi kritik ndërtohet mbi njohuri të kuptuara mirë. Edhe vlerësimi duhet të na tregojë ku ka ngecur nxënësi dhe çfarë ndihme i duhet. Kjo kërkon kontrolle të shkurtra e të rregullta të të kuptuarit, informacion kthyes të dobishëm dhe përshtatje të mësimit sipas rezultateve.
Pyetja që duhet ta udhëheqë punën e shkollës është: sa nga ajo që kemi mësuar e kanë kuptuar nxënësit dhe sa janë në gjendje ta përdorin? Pikërisht këtë duhet të masim dhe ta përmirësojmë vazhdimisht.

The post Pupovci: Rezultatet e PISA-s nuk duhet të harrohen pas dy-tri ditësh appeared first on Gazeta Express.

You Might Also Like

Lladrovci fton për 12 Shtator: Të bashkuar me kërkesën për drejtësi!
Ushtria gjermane drejt përdorimit të AI në fushëbetejë, teston 30 mjete të inteligjencës artificiale
Shkoi për trajtim, nuk doli më i gjallë nga klinika – Nisin hetimet për vdekjen e Giorgos Mazonakis
U vra në Itali, trupi iu gjet në një makinë të fundosur në lum, hetuesit zbardhin lëvizjet e fundit të 35-vjeçarit shqiptar
Nënkryetari i Gjykatës në Prishtinë: Departamenti Special me 173 lëndë në punë

LEXO GJITHASHTU

Kreshnik Kaçiu emërohet kryetar i Gjykatës Administrative
Kreshnik Kaçiu emërohet kryetar i Gjykatës Administrative
TOP Momenti
Udhëtari në autobus bartte mbi 2 kilogramë marihuanë, Dogana dhe Policia zbulojnë rastin në Vërmicë
Udhëtari në autobus bartte mbi 2 kilogramë marihuanë, Dogana dhe Policia zbulojnë rastin në Vërmicë
TOP Momenti
OBRM-PDUKM i reagon Bujar Osmanit: Nuk ka pasur komunikim me BDI-në për zgjedhje të parakohshme
OBRM-PDUKM i reagon Bujar Osmanit: Nuk ka pasur komunikim me BDI-në për zgjedhje të parakohshme
TOP Momenti
ZPS-ja: Janë 28 orë inçizime të Thaçit përgjatë 9 vizitave, mbrojtja do që Gjykata ta fusë kokën në rërë
ZPS-ja: Janë 28 orë inçizime të Thaçit përgjatë 9 vizitave, mbrojtja do që Gjykata ta fusë kokën në rërë
Lajme
Vendoset flamuri gjigant “Liria ka emër” në selinë e Odës së Mjekëve
Vendoset flamuri gjigant “Liria ka emër” në selinë e Odës së Mjekëve
Lajme

You Might Also Like

Dyshohen për tjetërsim të pronës 1.5 milionëshe – 5 zyrtarëve u ndalohet t’i afrohen komunës së Fushë Kosovës
Lajme

Dyshohen për tjetërsim të pronës 1.5 milionëshe – 5 zyrtarëve u ndalohet t’i afrohen komunës së Fushë Kosovës

September 10, 2026
Ora e Pritjes” nis numërimin mbrapa edhe në Pejë, në pritje të lirisë për çlirimtarët
Lajme

Ora e Pritjes” nis numërimin mbrapa edhe në Pejë, në pritje të lirisë për çlirimtarët

September 10, 2026
Hashim Thaçi sonte jep intervistën e fundit para vendimit të Hagës
Lajme

Hashim Thaçi sonte jep intervistën e fundit para vendimit të Hagës

September 10, 2026
Ish e dashura e Elon Musk bën deklaratën e fortë: Më ofruan 40 milionë dollarë që të mos flisja për të
Lajme

Ish e dashura e Elon Musk bën deklaratën e fortë: Më ofruan 40 milionë dollarë që të mos flisja për të

September 10, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?