Në prag të vendimit për ish-krerët e UÇK-së, 12 shtatori pritet ta bashkojë Kosovën në shesh, në Marshin për Liri ‘Kosova po Pret’. Por, para se qytetarët të marshojnë, Beogradi ka nisur ta shfrytëzojë këtë mobilizim si mjet propagande. Aleksandar Vuçiq po përpiqet që këtë marsh paqësor ta paraqes si kërcënim dhe presion ndaj drejtësisë në Hagë, duke tentuar ta shtrembërojë mesazhin e tij dhe mbështetjen qytetare për UÇK-në.
Në prag të vendimit që pritet të vulosë fatin e ish-krerëve të UÇK-së, Kosova bëhet bashkë. Më 12 shtator, zëri i saj pritet të jehojë fuqishëm nga sheshet e kryeqytetit, ku të rinj e të moshuar do të bashkohen në marshin për liri, nën moton ‘Kosova po pret’.
Ky marsh synon të përcjellë një mesazh të fuqishëm mbështetjeje dhe solidariteti për ata që përfaqësojnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së Kosovës. Por, kreu i shtetit i cilit ka deponuar dosje kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, këtë marsh të paralajmëruar në Prishtinë e ka kthyer në instrument të propagandës së Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka paraqitur tubimin si presion ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, madje duke pretenduar se nga Prishtina po paralajmërohet dhunë nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk lirohen.
“Jam shumë i shqetësuar sepse shqiptarët kanë caktuar një ‘Marsh për Liri’, siç e kanë quajtur, për 12 shtatorin, duke pritur që Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët të lirohen. Ata paralajmërojnë dhunë dhe ushtrojnë presion ndaj gjykatës nëse kjo nuk ndodh”, ka deklaruar Vuçiq.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.
Çitaku ka thënë se Vuçiqit dhe kundërshtarëve të Kosovës nuk u shkakton frikë vetë marshi, por verdikti që pritet të dalë në Hagë.
“Vuçiq paska thënë se e frikëson Marshi për Liri. Deksha n’lloç. Ty, Serbinë e armiqtë e Kosovës nuk ju frikëson marshi. Ju frikëson verdikti në Hagë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka deklaruar se Serbia, sipas saj, përballet me faktin se Kosova ka arritur të bëhet shtet i pavarur dhe sovran, pavarësisht përpjekjeve për ta penguar atë.
Çitaku e ka cilësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si luftë për liri dhe mbijetesë, ndërsa ndërhyrjen e NATO-s si përpjekje për t’i dhënë fund katastrofës humanitare.
“Këtë histori nuk e zhbëni dot. As me propagandë, as me viktimizim, as me frikë nga marshet tona. Kosova është e lirë”, ka shkruar ajo.
The post Vuçiq vazhdon me propagandë, e paraqet Marshin për Liri si kërcënim – i reagon Çitaku: S’ju frikëson Marshi, por verdikti në Hagë appeared first on Gazeta Express.

