Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur me vlerësim të veçantë për kandidatin e LDK-së, profesor Bekim Sejdiun, duke e përshkruar atë si një figurë të lidhur ngushtë me LDK-në dhe frymën rugoviste.
“Bekim Sejdiu është LDK në thelb, rugovist në bindje”, tha Abdixhiku në Kanal 10.
Abdixhiku tha se Bekim Sejdiu vjen nga një familje e pastër rugoviste dhe se rrugëtimi i tij politik e profesional është i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai theksoi se Sejdiu e kishte nisur karrierën në Ankara dhe më pas e kishte vazhduar në Nju Jork, duke përmendur edhe lidhjet e tij familjare me LDK-në dhe institucionet e Kosovës.
Sipas Abdixhikut, familjarë të profesor Bekim Sejdiut kanë mbajtur pozita të rëndësishme institucionale.
Kryetari i LDK-së tha se Bekim Sejdiu përfaqëson një profil të lidhur me traditën e LDK-së, prejardhjen rugoviste dhe një formim të gjatë profesional e institucional.
Gjatë intervistës, Abdixhiku foli edhe për zhvillimet politike dhe marrëveshjet e arritura mes partive, duke thënë se kishte pasur shqetësim se procesi mund të dështonte në momentet e fundit.
“Kam pasur frikë se në momentet e fundit Lëvizja Vetëvendosje do ta prishte marrëveshjen”, deklaroi Abdixhiku.

