Në takimin e Këshillit Prokurorial ka raportuar kryeprokurori i Prokurorisë Specale, Blerim Isufaj.
Anëtarja e KPK-së, Arlinda Muqa kërkoi nga Isufaj të tregojë nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim për informacionet që pretendoi se po rrjedhin për rastet nën hetim nga Prokuroria e drejtuar nga Isufaj.
“A është ndërmarrë ndonjë masë për të verifikuar nëse ekziston një burim i brendshëm i informacionit dhe për ta parandaluar rrjedhjen e mëtutjeshme?”, pyeti Muqa.
Isufaj u përgjigj shpejt: “A ma thua, zonja anëtare e Këshillit, cili është rasti që është trajtuar në Prokurorinë Speciale që paska rrjedhë te Paparaci, se unë s’po e di?”.
Muqa i tha se ka pasur “shumë lajme” që kanë dalë, ndërsa Isufaj insistoi: “Cilin rast prej Prokurorisë time e kanë publiku, se s’po e di. Ma thuani”.
“Është… shembulli konkret është rasti i prokurores Elza Bajrami, ka pasë raste edhe të Prokurorit të Shtetit…”, i tha Muqa.
Isufaj mohoi dhe i kërkoi anëtares që t’i tregonte se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, dhe se nëse ai i merr informacionet e nevojshme do të marrë masa “me automatizëm”.
Kryeprokurori i Speciales tha se është viktimë e “këtyre” dhe se është sulmuar gjithmonë.
“Se nëse duhet me u marrë, ja jam unë viktimë e këtyre, ja s’është kurrkush në Kosovë. Kah po dalin ato? Po kush është sulmu më shumë sesa unë?”, tha ai.
Isufaj tha se mban përgjegjësi politike dhe e ruan integritetin e tij.
“Nuk është mirë me folë pa argumente. nuk është mirë me lexu letra të shkruara. Nëse ke një argument më të vogël, qe ku jam. Mbaj përgjegjësi publike. S’merrem me kësi sende. Sepse s’e uli nivelin. E ruaj integritetin e institucionit që e përfaqësoj, më së pari. E ruaj në radhë të parë integritetin tim. Se integritetin tim s’e shes për kurrgjë. Dhe kjo po më kushton”, tha ai.
Pas kësaj përgjigjeje, Muqa nuk deshi të fliste më.
The post Isufaj i përgjigjet pyetjeve të anëtares së KPK-së për “rrjedhje informacionesh”: Integritetin tim s’e shes për kurrgjë, kjo po më kushton appeared first on Gazeta Express.

