Nuk dihet akoma data dhe ora e takimit të pritur të ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari me përfaqësuesit e studentëve dhe dekanët e universiteteve për zgjidhjen e problemit me provimin e jurisprudencës. I pyetur nga Alsat, ministri nuk u përgjigj për të zbardhur detajet rreth organizimit.
Një ditë më parë, edhe studentët e UT-së dorëzuan kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë që provimi i jurisprudencës, provimi për noter, provimi për përmbarues dhe provimet e tjera shtetërore profesionale të organizohen edhe në gjuhën shqipe. Në njoftimin nga Kuvendi studentor thuhet se studentët konsiderojnë se ekzistojnë si bazat ligjore, ashtu edhe mundësitë praktike për organizimin e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.
“Studentët kërkojnë që provimet, materialet për përgatitje dhe të gjitha pjesët përbërëse të tyre të jenë në dispozicion edhe në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se organizimi i tyre vetëm në gjuhën maqedonase krijon pabarazi dhe vështirësi shtesë për studentët shqiptarë, të cilët studimet i ndjekin në gjuhën shqipe. Kuvendi Studentor vlerëson se mundësia për zhvillimin e këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe do të garantonte kushte të barabarta për të gjithë kandidatët…” njoftojnë nga Kuvendi studentor i UT-së.
Ministri Shasivari një javë më parë kishte deklaruar se pret edhe zyrtarisht kërkesën e studentëve të UT-së për të ftuar takimin. Ai është në përpjekje për të bindur studentët të pranojnë zgjidhjen e përgatitur ligjore, edhe pse studentët e kanë hedhur poshtë propozimin që teoria të jepet në gjuhën amtare, ndërsa praktika në gjuhën maqedonase. Shasivari ishte shprehur se do t’i bindë studentët se bëhet fjalë për avancim.
”Jam i bindur se me një sqarim edhe profesional edhe institucional, studentët, kandidatët e ardhshëm do ta kenë të qartë se bëhet fjalë për një avancim dhe për një qasje gjithëpërfshirëse”, kishte deklaruar më 26 gusht Jeton Shasivari, Ministër i Drejtësisë.
Studentët nuk lëvizin nga qëndrimi se provimi i jurisprudencës duhet të mbahet në shqip si në teori ashtu edhe në praktikë, ndërsa thonë se nëse nuk plotësohen kërkesat do të vazhdojnë me protesta./Alsat/

