Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur skeptik se marrëveshja e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së do t’i hapë rrugë zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Një ditë pasi LVV dhe LDK u dakorduan që profesori universitar dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidati i përbashkët për president, Rama tha se mbetet skeptik nëse procesi do të përfundojë me zgjedhjen e kreut të shtetit.
Rama për KosovaPress tha se, ndonëse shpreson që institucionet të formohen dhe vendi të ecë përpara, bazuar në zhvillimet e dy viteve të fundit nuk është optimist se do të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
“Uroj që mos të jetë kjo dhe një lojë e Albin Kurtit. Dyshoj shumë që ka me u zgjedh presidenti, për fat të keq po them. E ka treguar tash e dy vjet që nuk është i interesuar për me kriju qeveri, pra nuk është dikush që do me qeverisë, është dikush që ka tendenca autokratike po them dhe nuk e shoh, nuk jam optimist. Uroj që po, uroj që të krijojmë qeveri, uroj që të kemi president, po jam shumë pesimist në bazë të rrjedhave tash e gati dy vjet”, ka deklaruar Rama.
I pyetur nëse pajtohet me kandidatin e propozuar për president, Rama tha se e mbështet zgjedhjen e presidentit, nëse partitë politike kanë arritur marrëveshje dhe ekzistojnë votat e nevojshme.
“Patjetër që po. Vendit i duhet presidenti dhe nëse partitë janë pajtuar edhe i kanë votat, patjetër që po. Neve na duhen institucione, na duhet me ec përpara, pra nuk mund të ndalemi”, potencoi Rama.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar më 31 gusht për emrin e Bekim Sejdiut për president konsensual.
Sot LDK-ja pritet të diskutojë emrin e tij në strukturat e brendshme partiake, ndërkaq dje disa figura, përfshirë Avdullah Hotin, kanë dalë kundër emrit të Bekim Sejdiut për president. Sipas LVV-së, për shkak të mosdakordimit për president, deri tani nuk është konstituar Kuvendi i Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit./KP/
The post Rama skeptik për marrëveshjen LVV-LDK: Uroj të mos jetë lojë e Kurtit, dyshoj se do të zgjidhet presidenti appeared first on Gazeta Express.

