Ish-presidentja Vjosa Osmani tha se “shpreson shumë” që Lidhja Demokratike e Kosovës i ka të 18 votat e deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut President.
Deputetja e LDK-së tha se ky vendim është “në interes shtetëror”, dhe se dëshiron të jetë “optimiste” për mbështetjen e të gjithë deputetëve të kësaj partie.
“Ne tash kemi takim të Grupit Parlamentar, shpresoj shumë. Është një vendim në interes shtetëror dhe kandidatura e Bekim Sejdiut i bën nder Kosovës”, tha ajo, duke theksuar se emri i tij është propozuar nga LDK-ja.
Osmani, e pyetur për qëndrimin e deputetit Avdullah Hoti, tha se kandidatura e Sejdiut i respekton vendimet e strukturave të LDK-së.
“Besoj që mund të flisni me të. Unë nuk mund të flas në emër të tij, por po e përsëris: kandidatura e Prof. Dr. Bekim Sejdiut i bën nder të gjithë Kosovës, jo vetëm që i plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne patëm vendosur unanimisht në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar, jo vetëm që e respekton vendimin e fundit të Kuvendit të LDK-së që ka kërkuar nga kryetari që të bëjë çmos që Kosovës t’i japë institucione, por në të njëjtën kohë i jep Kosovës një mundësi që të vazhdohen punët të rëndësishme në mbrojtje të demokracisë, që të mbrohet demokracia, të mbrohet Kushtetuta, që të fuqizohen aleancat”, tha ajo.
Osmani tha se Sejdiun duhet ta votojnë të gjithë deputetët.
“Ne kemi bërë kompromis si LDK duke e vendosur gjithmonë interesin e Kosovës para çdo interesi individual apo partiak. Dhe tani secili deputet i Kuvendit Kosovës, jo vetëm ne të LDK-së, kemi përgjegjësi historike që vendit t’i japim institucione stabile”, tha ajo.
The post Osmani: Shpresoj shumë që t’i kemi 18 votat e deputetëve të LDK-së për Sejdiun President, e propozuam ne appeared first on Gazeta Express.

