Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë se kërkesat e komunave nuk janë partiake dhe as personale të kryetarëve, por përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
Në protestën e komunave, Ibrahimi ka deklaruar se komunat po kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
“Mesazhet që u dhanë nga ky shesh nuk janë partiake e as kërkesa personale të kryetarëve. Ato përfaqësojnë interesat e komunave dhe qytetarëve të tyre. Komunat nuk po kërkojnë privilegje, por po kërkojnë atë që u takon me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi”, u shpreh ai.
Ibrahimi ka thënë se AKK-ja nuk do të heshtë përballë, siç i ka cilësuar ai, padrejtësive ndaj komunave.
“Përballë këtyre padrejtësive, AKK nuk ka heshtur dhe nuk do të heshtë. Ne përfaqësojmë komunat e Kosovës”, tha Ibrahimi.
Ai ka paraqitur edhe shtatë kërkesa të komunave drejtuar Qeverisë:
1.Kompensimin e obligimeve financiare që burojnë nga kontratat kolektive dhe që, sipas AKK-së, po u merren komunave përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.
2.Kompensimin retroaktiv të përvojës së punës prej 0.5 për qind, për periudhën përkatëse nga viti 2023 deri në vitet 2024-2025, që kjo kosto të mbulohet nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet komunale.
3.Rishikimin e kritereve të grantit specifik për arsim, pasi, sipas AKK-së, mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke u krijuar komunave një barrë shtesë prej mbi 24 milionë eurosh vetëm për këtë vit.
4.Ndërprerjen e centralizimit dhe cenimit të kompetencave komunale, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe kompetencat e tjera vetanake.
5.Përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të BE-së dhe për zvogëlimin e mjeteve nga granti i performancës komunale.
6.Kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022.
7.Krijimin e grantit të katërt për investime kapitale, me kritere të qarta, ligjore dhe transparente.
Në fund, Ibrahimi i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i trajtojë kërkesat e komunave me seriozitet dhe të hapë dialog me to.
“AKK kërkon që këto kërkesa t’i trajtojë me seriozitet dhe të hapë dialog. Do të vazhdojmë t’i mbrojmë komunat me argumente, me ligj dhe me të gjitha mjetet demokratike e institucionale. Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, tha Ibrahimi. /Telegrafi/

