Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi ashpër ndaj, siç thotë, glorifikimit të kriminelëve të luftës Ratko Mladiç dhe Draža Mihailoviç nga partnerë politikë të VLEN-it në Qeveri. Nga BDI theksojnë se VLEN nuk mund të distancohet nga përgjegjësia duke reaguar vetëm përmes deklaratave publike, pasi është pjesë e pushtetit dhe bashkëqeveris me subjektet politike për të cilat ngre akuza.
“Partnerët e VLEN-it në Qeveri, të cilët VLEN-i i ka mbrojtur dhe legjitimuar në çdo aspekt, sot glorifikojnë Ratko Mladiçin dhe Draža Mihailoviçin”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në kumtesë përmendet ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, i cili, sipas BDI-së, është pjesë e partneritetit politik që VLEN e ka pranuar dhe e mbron për hir të vazhdimit të bashkëqeverisjes.
“Ratko Mladiç nuk është një figurë për debat apo interpretim historik. Ai është një kriminel lufte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përgjegjës, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë”, thekson BDI.
Sipas BDI-së, nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për qëndrime që, siç pretendojnë nga kjo parti, janë shfaqur në mënyrë të përsëritur nga Stoilkoviq dhe subjekti politik që ai përfaqëson.
BDI përmend edhe deklarata të mëparshme lidhur me Srebrenicën, duke theksuar se “pikërisht këtë profil politik dhe këtë qasje ndaj një prej gjenocideve më të tmerrshme në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, VLEN-i e ka partner në Qeveri”.
Në reagim kritikohet edhe mënyra se si VLEN reagon ndaj këtyre zhvillimeve. “Dhe çfarë bën VLEN-i? Sillet sikur të ishte organizatë joqeveritare apo parti opozitare: pret që të reagojë opinioni, populli dhe partitë e tjera, pastaj del me ndonjë reagim formal për të larë duart”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga partia opozitare shqiptare nënvizojnë se VLEN, si pjesë e koalicionit qeverisës, nuk mund të sillet si spektator.
“VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet dhe për gjithçka që toleron për hir të karrigeve”, deklaron BDI.
Në vazhdim, BDI e lidh këtë situatë edhe me marrëdhëniet e pushtetit aktual me figura dhe struktura politike nga Serbia dhe Republika Srpska. Sipas saj, tolerimi i qëndrimeve të tilla është pjesë e një politike më të gjerë.
“E toleruan ardhjen e Milorad Dodikut dhe ligjëratat e tij antiperëndimore e proruse; ndërkohë VLEN-i ka ndërtuar marrëdhënie dhe partneritete ekonomike e energjetike me struktura nga Serbia dhe Republika Srpska, nga Alta Banka deri te marrëveshjet në sektorin energjetik dhe projektet e gazifikimit”, thuhet në reagim.
BDI pretendon se glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it nuk duhet parë si një ngjarje e veçuar, por si pasojë e një klime politike që, sipas tyre, karakterizohet nga heshtja dhe toleranca ndaj partnerëve të pushtetit.
“Prandaj, glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it nuk është një incident i izoluar. Ai është pjesë e një politike të heshtjes, tolerancës dhe nënshtrimit ndaj partnerëve të pushtetit”, thekson BDI.
Partia gjithashtu ngre shqetësime për depërtimin e asaj që e quan “Bota serbe” në strukturat politike dhe institucionale të vendit, duke pretenduar se për këtë janë ngritur shqetësime edhe në raportet evropiane.
Në përfundim, BDI i drejtohet drejtpërdrejt VLEN-it, duke kërkuar që kjo parti të mos fshihet pas reagimeve publike.
“VLEN-i nuk mund të fshihet më pas një reagimi në Facebook. Heshtja përballë glorifikimit të gjenocidit është tolerancë, ndërsa toleranca në pushtet është bashkëpërgjegjësi”, thuhet në kumtesë. Sipas BDI-së, VLEN ka zgjedhur të vazhdojë bashkëqeverisjen pavarësisht qëndrimeve të partnerëve të tij politikë. “Për hir të disa karrigeve, VLEN-i ka zgjedhur të bashkëqeverisë, të heshtë dhe të tolerojë”, përfundon reagimi i BDI-së.

