Bashkëpunëtori i Kadri Zekës, Berat Luzha, ka rrëfyer për mënyrën se si ishte organizuar shtypi i fshehtë i “Grupit Revolucionar të Kosovës”, duke folur për gazetën “Zëri i Kosovës”, ndryshimin e emrave të botimeve, si dhe mënyrën se si siguroheshin mjetet për shtypjen e materialeve.
Luzha, në Debat Plus të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit ekskluziv “Dosjet”, i pyetur se pse gazeta e botuar nga organizata ishte quajtur “Zëri i Kosovës”, u shpreh se ky emër ishte domethënës dhe lidhej me kërkesat dhe gjendjen e Kosovës në atë kohë.
“Zëri i Kosovës” është botuar para se unë të kyçem në grup, por është një emër kuptim plotë “Zëri i Kosovës”, do të thotë zëri i kërkesave të Kosovës, i gjendjes së Kosovës që ishte atëherë”, u shpreh Luzha.
Duke folur për pretendimet se emri “Zëri i Kosovës” ishte uzurpuar apo marrë nga një organizatë tjetër, Luzha ka thënë se nuk kishte diçka kontestuese lidhur me emrin.
“Si të them ka qenë problem i dy organizatave, po Jusufi ka filluar të botojë “Zërin e Kosovës” diku në fund të vitit 1980-të, mendoj që nuk ka asgjë kontestuese rreth emrit të organizatës tjetër që thotë se paska thënë se e ka vjedh emrin. Nuk ka diçka kontestuese”, tha Luzha.
Luzha ka folur edhe për mënyrën se si siguroheshin materialet dhe mjetet e nevojshme për funksionimin e një organizate të fshehtë.
Ai ka thënë se sigurimi i mjeteve ishte një punë e vështirë, por anëtarët, falë vullnetit dhe përkushtimit, arrinin t’i siguronin mjetet themelore të punës.
“Vërtetë ka qenë punë e mundimshme të sigurohen, por me vullnet dhe përkushtim të madh që kanë pas anëtarët i kanë siguruar edhe mjetet e punës, mjetet themelore të punës se nuk kanë qenë shumë, megjithatë janë siguruar për të kryer punë. Ato diçka, për shembull gështetnera, ka pas rast kur janë marrë nga ndërmarrjet, janë vjedhur.”
Në fund, Luzha ka treguar edhe se si, sipas tij, grupi ishte dekonspiruar gjatë sigurimit të një makine shkrimi.
“Jo nuk e kanë ditë UDB-a, por në një moment, në një moment ka ndodhur që kemi dalë si grup ta blejmë një “gishtetnerë” dhe aty është dekonspiruar grupi. Është përcjellë se deri ku po shkon gishtetnerë edhe në bazë të kësaj është zbuluar grupi.”
I pyetur nëse dekonspirimi kishte ardhur nga brenda organizatës, ai bëri të ditur se s’ishte nga brenda.

