Meta ka vendosur masa të reja për sigurinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në Instagram dhe Facebook. Sipas marrëveshjes së arritur me 48 shtete amerikane, përdoruesit nën 18 vjeç do të përballen me kufizime të reja në përdorimin e platformave.
Një nga masat kryesore është kufizimi i përdorimit në dy orë në ditë. Gjithashtu, Instagram dhe Facebook do të bllokojnë aksesin e të miturve nga mesnata deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Përveç kësaj, Meta do të fshehë numrin e pëlqimeve për përdoruesit e rinj, si pjesë e masave për të reduktuar ndikimin negativ të rrjeteve sociale tek adoleshentët.
Marrëveshja kap vlerën e rreth 18 miliardë dollarëve dhe pagesa do të bëhet gjatë një periudhe 10-vjeçare. Masat e reja do të zbatohen vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shumica e tyre do të qëndrojnë në fuqi për 10 vjet.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kufizimi i kohës nuk i zgjidh të gjitha problemet. Arturo Béjar, ish-drejtor i inxhinierisë në Meta, tha se mënyra se si platformat rekomandojnë përmbajtjen mund të ndikojë në krijimin e varësisë tek adoleshentët.
Sipas tij, edhe pasi të arrihet kufiri prej dy orësh, të rinjtë mund të ndiejnë presion për të vazhduar përdorimin e platformave.
Meta ka bërë të ditur se edhe të rriturit do të mund të aktivizojnë disa kufizime individuale, si përkujtuesit për kohën e kaluar në aplikacion, por nuk do të kenë qasje në të gjitha cilësimet e krijuara posaçërisht për adoleshentët, shkruan Euronews.
The post Meta vendos kufizime të reja për përdorimin e Instagramit nga të miturit appeared first on Gazeta Express.

