Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës mbetet në opozitë dhe nuk do të marrë pjesë në dialogun për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se nuk i beson kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Gruda, në një konferencë për media, ka thënë se PDK-ja e ka përcaktuar tashmë pozicionin e saj dhe se nuk do të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, “teatrit politik”.
“Ne jemi deklaruar që jemi parti në opozitë, prandaj nuk jemi pjesë e dialogut për të zgjedhur një president. Ne jemi parti opozitare, ky qëndrim i yni mbetet kështu, nuk ndryshon. Pavarësisht çfarë zhvillojnë partitë tjera si proces, ne e kemi caktuar pozicionin tonë, jemi në opozitë, sepse kemi besuar, mbasi kemi marrë pjesë në takim me Kurtin, që Kurti nuk e ka ndërmend me zgjidh krizën në Kosovë, prandaj nuk marrim pjesë në këtë teatër politik. Zoti Nura, a do të thotë se është mjaftueshëm e qartë që nuk merrni pjesë në takime edhe qëndroni në opozitë? Megjithatë mund të shtoj”, tha ai.
Gruda ka thënë se nuk dëshiron të komentojë për qëndrimet e partive të tjera, por ka theksuar se PDK-ja nuk i beson vullnetit të Kurtit për të arritur një marrëveshje politike.
“Unë do të isha rezervuar me komentu sjelljen e partive tjera. Unë mund ta them një diçka: unë nuk i besoj Albin Kurtit në përpjekjet që po bën. Unë nuk i besoj. Partia Demokratike e Kosovës nuk beson në vullnetin e mirë të zotit Kurtit për të arritur një marrëveshje politike. Kjo është ajo çfarë mund ta them”, tha ai.

