Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve nga sistemi gjyqësor.
Në mbledhjen e sotme të KGJK-së, me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim, u refuzua kërkesa për kthimin e gjyqtarëve dhe stafit serb.
Kryesuesi i KGJK, Rrustem Thaqi abstenoi, kurse anëtarja e këtij mekanizmi të drejtësisë, Ivana Milenkoviq votoi kundër.
Procesi tashmë vazhdon me dërgimin e emrave të të dorëhequrve te ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu për lirim nga detyra.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të mos i rikthyer në sistemin gjyqësor gjyqtarët dhe stafin serb që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Haxhiu ka bërë të ditur se është e gatshme të ndërmarrë hapat e radhës, sapo propozimi zyrtar t’i dërgohet nga KGJK-ja.
“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se vendimi do të ndiqet me procedurat përkatëse institucionale.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërmarr veprime për lirim nga detyra të tyre”, ka deklaruar ushtruesja e detyrës së Presidentes.
Me vendimin e sotëm, procesi pritet të vazhdojë me dërgimin e emrave të gjyqtarëve dhe stafit të dorëhequr te ushtruesja e detyrës së Presidentes, për procedurën e lirimit nga detyra. /Telegrafi/

