Një zjarr i fuqishëm në shtëpinë e një familjeje shqiptare në zonën Mandarin të Jacksonville, Florida, ka lënë të vdekur tre fëmijë, ndërsa katër persona të tjerë janë në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në orët e para të mëngjesit, në një kompleks banesash në Windergate Drive. Ekipet e Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville mbërritën pak pas orës 05:00 dhe gjetën katin e parë të banesës të përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym.
Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga banesa para mbërritjes së zjarrfikësve, por të katër u dërguan në spital në gjendje kritike.
Gjatë kontrollit të banesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijë të pajetë.
Familja e viktimave është me origjinë nga Shqipëria. Tragjedia ka tronditur rëndë të afërmit e tyre. Një grua që punon me gjyshen e fëmijëve tregoi se ajo e mori vesh për zjarrin pasi kishte mbërritur në punë. Më pas, kolegia e saj e dërgoi me makinë në vendngjarje.
“Ajo nuk dinte asgjë. Sapo erdhi në punë dhe njerëzit i treguan se çfarë kishte ndodhur. Ishte e tronditur, vetëm qante”, tregoi kolegia.
Zjarri shkatërroi plotësisht banesën, ndërsa dy njësi të tjera pranë saj pësuan dëmtime. 11 persona të tjerë mbetën pa strehim dhe po marrin ndihmë nga Kryqi i Kuq Amerikan.
Pas tragjedisë, fqinjët nisën të vendosnin lule pranë banesës si shenjë zie dhe kujtimi për fëmijët. Një banor që tha se e njihte familjen e përshkroi ngjarjen si një humbje jashtëzakonisht të dhimbshme.
Ndërkohë, Zyra e Sherifit të Jacksonville dhe Zyra e Shefit të Zjarrfikësve të Shtetit kanë nisur hetimet për rastin. Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar. /Yahoo
The post Zjarr në shtëpinë e një familjeje shqiptare në SHBA, humbin jetën tre fëmijë appeared first on Gazeta Express.

