Disa institucione në qytete të ndryshme të Shqipërisë janë kërcënuar me bombë përmes një e-maili të dërguar mëngjesin e sotëm nga një adresë ende e paidentifikuar.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se mesazhi kishte “përmbajtje kërcënuese dhe terroriste”, ndërsa në të pretendohej se në institucionet e përfshira ishte vendosur bombë.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga kontrollet e kryera deri tani, sipas autoriteteve, nuk është gjetur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, për identifikimin e autorit kanë nisur hetimet nga strukturat përkatëse.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime”, njoftoi Policia e Shtetit.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se kontrollet dhe masat e sigurisë po vijojnë.
“Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

