Dega e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Banja Llukë dyshohet se po i regjistron qytetarët me shtetësi të dyfishtë, të Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, për të votuar në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.
Kështu ka bërë të ditur organizata serbe CRTA (Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi) në Beograd, e cila ka publikuar disa audioincizime që, sipas saj, tregojnë mënyrën se si qytetarët kontaktohen nga persona që prezantohen si përfaqësues të SNS-së.
Në një prej incizimeve dëgjohet një grua, e cila prezantohet si Sara nga Partia Përparimtare Serbe, duke e pyetur një qytetar në Banja Llukë nëse është i interesuar që “kolegët nga ekipet mobile” ta vizitojnë në shtëpi dhe t’ia skanojnë letërnjoftimin serb.
“Ne kemi kolegët tanë, ekipet mobile, të cilët çdo ditë janë në terren në Banja Llukë nga ora 8. Merruni vesh me kolegët dhe, kur t’ju përshtatet, të vijnë në adresën tuaj dhe ta skanojnë letërnjoftimin”, dëgjohet të thotë ajo.
Sipas saj, skanimi i letërnjoftimit do të mundësonte përfundimin e procedurës së regjistrimit për votim.
Kur qytetari pyet se si do të bëhet skanimi, ajo i shpjegon se do të lexohet çipi i integruar në letërnjoftimin serb.
“Ky proces zgjat vetëm një minutë. E skanojnë, përkatësisht e lexojnë letërnjoftimin dhe me këtë e keni përfunduar regjistrimin për zgjedhjet e ardhshme”, thotë gruaja.
Ajo shton se qytetari më pas do të njoftohet se në cilin vend do të votojë, duke përmendur konsullatën ose objektin e MTL-së në Banja Llukë.
Në një moment të bisedës, qytetari e pyet nëse procedurën e kryen konsullata apo partia, ndërsa gruaja përgjigjet se bëhet fjalë për aktivitet të Partisë Përparimtare Serbe, dega në Banja Llukë.
CRTA ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një parti politike po mbledh të dhënat personale të qytetarëve dhe po u ofron atyre regjistrim për votim në zgjedhjet në Serbi.
Organizata ka publikuar gjithashtu një tjetër dëshmi, sipas së cilës në Banja Llukë qytetarëve u kanë shkuar në shtëpi persona që janë prezantuar si zyrtarë të Konsullatës së Republikës së Serbisë, duke u bërë pyetje për planet e tyre për të votuar në zgjedhjet në Serbi.
CRTA pyet nëse të dhënat personale të mbledhura përmes këtyre kontakteve mund të përdoren edhe për qëllime të tjera.
Ndërkohë, në audioincizim qytetari thotë se mund të votojë në Serbi, pasi planifikon të jetë në Mal të Zi, por nuk e di ende se ku do të ndodhet në kohën e zgjedhjeve.
The post CRTA publikon dëshmi: SNS po regjistron qytetarë me shtetësi të dyfishtë për zgjedhjet në Serbi appeared first on Gazeta Express.

