Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë punonjës nga jashtë, veçanërisht nga vendet aziatike.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, të cituara nga mediat në Tiranë, në fund të vitit 2025 në Shqipëri jetonin 32.163 shtetas të huaj me leje qëndrimi. Kjo paraqet një rritje prej 46,6 për qind krahasuar me vitin paraprak, përcjell albinfo.ch.
Në vitin 2024 numri i tyre ishte rreth 21.900, që nënkupton se vetëm brenda një viti Shqipëria ka regjistruar mbi 10 mijë të huaj më shumë me leje qëndrimi.
Të dhënat tregojnë se fenomeni ka marrë përmasa të konsiderueshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2021 kishte rreth 14.900 të huaj me leje qëndrimi, ndërsa në vitin 2025 numri i tyre arriti në mbi 32 mijë. Pra, brenda katër vjetësh, kjo shifër është më shumë se dyfishuar.
Puna, arsyeja kryesore e qëndrimit
Më shumë se gjysma e të huajve ndodhen në Shqipëri për arsye pune. Konkretisht, 55,1 për qind e lejeve të qëndrimit lidhen me punësimin.
Bashkimi familjar përbën 19,8 për qind të lejeve, ndërsa më pas renditen arsye të tjera me 14,1 për qind, qëllimet humanitare me 7,9 për qind dhe studimet me 3,1 për qind.
Këto shifra reflektojnë edhe vështirësitë e bizneseve shqiptare për të gjetur punonjës në tregun vendas. Emigrimi i vazhdueshëm dhe zhvillimet demografike kanë bërë që një pjesë e nevojave për fuqi punëtore të plotësohen me punonjës nga jashtë.
India dhe Filipinet po fitojnë terren
Ndryshimi më i madh vihet re te shtetasit që vijnë nga Azia. Në fund të vitit 2025, Shqipëria numëronte 9.891 shtetas aziatikë me leje qëndrimi, ose 117,6 për qind më shumë se një vit më parë.
Evropa vazhdon të kryesojë me 17.022 persona, që përbëjnë 52,9 për qind të totalit, por rritja nga vendet aziatike është dukshëm më e shpejtë.
Kosova mbetet vendi me numrin më të madh të shtetasve me leje qëndrimi në Shqipëri, me 6.284 persona, e ndjekur nga Italia me 4.065.
Pas tyre renditen India me 2.886 persona dhe Filipinet me 2.401.
Veçanërisht e lartë është rritja e shtetasve filipinas, numri i të cilëve është shtuar me 136,1 për qind brenda një viti. Edhe numri i shtetasve nga India është rritur ndjeshëm, me 87,6 për qind.
Një në katër aplikime vjen nga India ose Filipinet
Të dhënat për aplikimet e reja sugjerojnë se prania e punonjësve aziatikë mund të vazhdojë të rritet.
Gjatë vitit 2025, numri i aplikimeve për leje qëndrimi u rrit me 43,5 për qind. Shtetasit nga India dhe Filipinet përbënin së bashku 26,6 për qind të të gjitha aplikimeve, ose më shumë se një në çdo katër kërkesa.
Profili i të huajve është kryesisht i lidhur me moshën aktive për punë. Rreth 65 për qind janë meshkuj, ndërsa grupmosha 30–39 vjeç përbën 24,5 për qind të totalit.
Shtohen edhe qëndrimet e parregullta
Krahas rritjes së numrit të të huajve me dokumente të rregullta, gjatë vitit 2025 është shënuar rritje edhe e rasteve të qëndrimit të parregullt.
Autoritetet kanë identifikuar 1.926 të huaj me qëndrim të parregullt, krahasuar me 1.540 në vitin 2024, një rritje prej rreth 25 për qind.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria po përballet me një ndryshim të dukshëm të profilit të saj migrator. Ndërsa shumë shqiptarë vazhdojnë të emigrojnë, në anën tjetër ekonomia vendase po mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore e ardhur nga jashtë.
The post Mbi 32 mijë punëtorë të huaj në Shqipëri appeared first on Gazeta Express.

