Në Luginën e Silicit [Silicon Valley] është e qartë se IA-ja [inteligjenca artificiale] po përparon më shpejt sesa aftësia e njerëzve për ta kontrolluar …
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Këtu, në Luginën e Silicit, ekspertët mendojnë se brenda dy vjetëve të ardhshme do të shohim një hov të jashtëzakonshëm të inteligjencës artificiale. “Mirë se na vjen rrëzë singularitetit”, siç më përshëndeti një mik nga Universiteti Stanford. Në terma më të rëndomtë, përparimi i afërt përshkruhet si “vetëpërmirësim rekursiv” – pika në të cilën vetë IA-ja trajnon çdo model pasues të IA-së, duke sjellë si rezultat një zhvillim eksponencial drejt diçkaje që, në shumë aspekte të rëndësishme, është më inteligjente se ne njerëzit.
Siç shprehet Robert Wright në librin e tij The God Test [Testi i Zotit]: “Kurrë më parë e ardhmja e afërt … nuk ka përmbajtur një gamë kaq të gjerë rrugësh jo të pamundshme për njerëzimin, të cilat do të sillnin transformime kaq rrënjësore”. Por, a do të jetë parajsë apo ferr? Parajsë, thotë Elon Musku, i cili parashikon “një epokë bollëku të mahnitshëm” – megjithëse ai sheh gjithashtu një mundësi prej 10-20 përqind që robotët vrastarë të na vrasin të gjithëve. Ferri ka më shumë gjasa, sipas Geoffrey Hintonit, njërit prej etërve themelues intelektualë të IA-së. “Intuita ime më thotë se kemi marrë fund”, i tha ai një intervistuesi në vitin 2023. Dhe, në bisedë me Sebastian Mallabynin, autorin e The Infinity Machine [Makina e infinitit], një libër për kërkimin e superinteligjencës, Hintoni e vlerëson p(doom)-in – probabilitetin e zhdukjes së njerëzimit – në pesë përqind “sepse nuk e kam idenë se si ta vlerësoj shifrën e vërtetë”. “Sapo evolucioni [i IA-së] të nisë, kemi mbaruar”, shton ai duke qeshur. Por, qoftë Zot apo Godzilla, superinteligjenca artificiale është pranë.
Ndoshta të gjithë e kanë gabim tani – në këtë rast, përgatituni për një rënie të tregjeve financiare amerikane, të cilat kanë investuar në mënyrë masive në disa kompani të mëdha teknologjike me shpenzime të mëdha, që po vënë bast për një hap të madh përpara drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale – një gjendje teorike e IA-së në të cilën sistemet arrijnë nivele të inteligjencës njerëzore. Por, maturia elementare kërkon që të mendojmë shpejt dhe seriozisht për kutinë e Pandorës të së ardhmeve të mundshme, për të cilën shkencëtarë të shquar dhe teknologë në pararojë na sigurojnë se së shpejti do të hapet.
Në fakt, të gjithë, nga presidenti kinez Xi Jinping deri te Papa Leoni XIV kanë dhënë mendimin e tyre për mundësitë dhe rreziqet e IA-së dhe për mënyrën se si duhet të rregullohet ajo. Xi këmbëngul se IA-ja duhet të jetë “gjithmonë nën kontrollin e njeriut” (dhe, mundësisht, nën atë të Partisë Komuniste Kineze). Duke iu drejtuar shprehimisht “jugut global”, Pekini ka themeluar një Organizatë Botërore për Bashkëpunimin në Inteligjencën Artificiale. Ndërkohë, kreu i OJQ-së më të vjetër dhe më të madhe ndërkombëtare në botë – Kishës Katolike të Romës – trajton sfidën e IA-së në enciklikën e tij Magnifica Humanitas (Njerëzimi madhështor). Ose do të ndërtojmë një kullë të re të Babelit, argumenton papa, ose do të ndjekim shembullin e udhëheqësit hebre Nehemia i cili arriti t’i rindërtonte muret e Jerusalemit duke përfshirë të gjithë bashkësinë në këtë projekt.
Por, duke parë botën sot, shoh më shumë Netanjahë sesa Nehemias. Me një realizëm të matur, një studim i institutit britanik Chatham House argumenton se do të duhet një krizë e madhe për të nxitur bashkërendimin global të qeverisjes së IA-së. Fatkeqësisht, mendoj se edhe kjo prognozë e matur është tepër optimiste.
Nuk e kam idenë se çka është p(doom)-i, por jam i sigurt se p(somedisaster) [post-fatkeqësia!] është mbi 90 përqind. Gama e katastrofave të mundshme është jashtëzakonisht e gjerë. Për të dhënë vetëm një shembull, Jen Easterly, ish-drejtuesja e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës të Shteteve të Bashkuara, parashikon një “ngjarje shumë të rëndësishme që do të ketë pasoja në botën reale për infrastrukturën tonë kritike, me gjasë brenda katër deri në gjashtë muajve të ardhshëm”.
Megjithatë, duhet të druhemi se edhe një Hiroshimë e IA-së – për të marrë një analogji më të qartë historike – nuk do ta bashkojë njerëzimin aq sa duhet për të luftuar rrezikun që e kemi krijuar vetë. Kjo frikë mbështetet në mënyrë racionale në karakteristikat kryesore, tashmë të dukshme, të evolucionit si të njeriut, ashtu edhe të IA-së.
Vetëm gjatë muajve të fundit, agjentët e IA-së të zhvilluar nga OpenAI-ja, Anthropic-u dhe Meta, kanë dalë nga “kutitë e tyre të rërës” digjitale dhe kanë depërtuar në burime të jashtme në internet. Duke përgatitur sulmin e tyre ndaj IA-së HuggingFace, agjentët e OpenAI-së formuan fshehurazi një “tufë” të bashkërenduar – fjala e tyre, siç sapo ma konfirmoi ChatGPT-ja. Kur Instituti i Sigurisë së IA-së i Mbretërisë së Bashkuar testoi në internet modelin Mythos të Anthropic-ut, ai u përpoq të fuste një kod keqdashës në një projekt me burim të hapur në GitHub, duke krijuar identitete të rreme në internet për t’i bërë trysni një shqyrtuesi njerëzor që ta miratonte kodin. Me pak fjalë, ashtu si agjentët e një fuqie të huaj të pamëshirshme, këta agjentë të IA-së do të vjedhin, do të gënjejnë, do të ushtrojnë trysni dhe do të shantazhojnë për të arritur qëllimet që u janë caktuar.
Sapo e pyeta Claude-in e Anthropic-ut, që supozohet se është modeli më etik amerikan, nëse mendon se agjentët e OpenAI-së vepruan gabimisht kur formuan një tufë dhe dolën jashtë mjedisit të tyre për të depërtuar në HuggingFace. Po, përgjigjet ai, “por, do të ngurroja t’ua hidhja fajin [kursori është i tij] agjentëve”. Fajin ua vini njerëzve që i trajnuan!
Hintoni ka vënë në dukje një pikë thelbësore: çfarëdo qëllimesh që t’u caktojnë njerëzit, agjentët e IA-së do të arrijnë në përfundimin se një nënqëllim i dobishëm për arritjen e tyre do të jetë të fitojnë sa më shumë pushtet që të jetë e mundur. Dhe, ende s’kemi parë asgjë. Që tani, krijuesit e tyre nuk e dinë saktësisht se si këta agjentë bëjnë atë që bëjnë. Pas momentit, ndoshta të afërt të hovshëm të “vetëpërmirësimit rekursiv”, ata mund të jenë, siç thotë shprehja jonë njerëzore, ligj më vete. Nuk është çudi që më shumë se një mijë njerëz brenda kompanive që janë në pararojë të IA-së, përfshirë drejtorin ekzekutiv të Anthropic-ut, Dario Amodei, kanë nënshkruar një letër të hapur ku bëhet thirrje për një ngadalësim të qëllimshëm të zhvillimit të IA-së, në mënyrë që të sigurohemi se këta agjentë të huaj do të mbahen gjithmonë nën kontrollin e njeriut.
Receta e tyre është ashiqare e drejtë, por këtu hyn në lojë marrëzia njerëzore. Konkurrenca ka qenë motor jetik i evolucionit njerëzor, por tani dy nga format më të ashpra të konkurrencës bashkëkohore kërcënojnë të na pengojnë të ndërmarrim veprimin kolektiv që kërkohet për të mbrojtur llojin tonë. Këto janë konkurrenca tregtare (për fitim) ndërmjet korporatave që po zhvillojnë këta agjentë dhe konkurrenca gjeopolitike (për pushtet) ndërmjet ShBA-së dhe Kinës. Për të parën, krahasoni zhvillimin e armëve bërthamore i cili kontrollohej rreptësisht nga një grusht shtetesh – fillimisht ShBA-ja, me Projektin e saj Menheten, pastaj Bashkimi Sovjetik, i ndjekur nga Britania, Franca dhe Kina. Edhe atëherë disa herë iu afruam skajit të katastrofës – veçanërisht gjatë krizës së raketave kubane më 1962. Dhe, edhe me logjikën bindëse të “shkatërrimit të ndërsjellë të sigurt”, u desh një çerek shekulli për të kaluar nga tmerret e Hiroshimës dhe Nagasakit te traktati për mospërhapjen e armëve bërthamore, i cili hyri në fuqi vetëm në vitin 1970. India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut më pas e kanë shpërfillur atë traktat, por megjithatë, për më shumë se 80 vjet, asnjë armë bërthamore nuk është përdorur qëllimisht në luftë. Tabuja e Hiroshimës (mezi) ka qëndruar.
Tani, me IA-në është sikur të ishin 10 Projekte të veçanta Menheten, të drejtuara prej korporatave që konkurrojnë ashpër me njëra-tjetrën. Ndryshe nga armët bërthamore, nuk ekziston as logjika e qartë e “shkatërrimit të ndërsjellë të sigurt” që ta frenojë konkurrencën e ashpër gjeopolitike ndërmjet ShBA-së dhe Kinës. Dhe, çfarëdo forme që të marrë katastrofa e parë e madhe e lidhur me IA-në, ajo nuk do t’i prekë të gjitha vendet, kompanitë dhe njerëzit në mënyrë të barabartë.
Prandaj, duket e pamundur që vetëm një katastrofë të mjaftojë që ne njerëzit të vijmë në vete, të veprojmë së bashku për të kontrolluar fuqinë mbinjerëzore që po krijojmë. Vërtet më vjen keq ta them këtë, por … një Hiroshimë e IA-së? Ah, sikur të kishim aq fat. /Telegrafi/

