Një grua ka vdekur pasi është plagosur me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar për Dukagjinin se rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 23:20, kur Policia është njoftuar për një plagosje me armë zjarri.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur me armë zjarri.
Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se gruaja, e moshës madhore, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Rasti është iniciuar si vrasje e rëndë dhe është duke u hetuar nga organet kompetente.

