Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua ka humbur jetën nga plagët e shkaktuara me armë zjarri.
Sipas Prokurorisë, bashkëshorti i viktimës është personi i dyshuar për rastin. Edhe ai ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjendja shëndetësore e të dyshuarit është e rëndë dhe kritike për jetën.
Viktima, e cila sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të dyshuarit, ka ndërruar jetë rrugës për në QKUK si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të siguruar provat relevante.

