Policia e Kosovës ka mohuar raportimet në mediat serbe se zjarri në territorin e Serbisë në zonën e Bërnjakut është shkaktuar nga territori i Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës në media serbe ka pas spekulime se zjarri është shkaktuar pasi është përdorur një armë specifike e cila shfrytëzohet vetëm për hedhjen e topave të zjarrit, dhe se ka ardhur nga Kosova.
“Dezinformata dhe shkrime të tilla të pavërteta nga Serbia të orientuara ndaj Kosovës ka pasur edhe në të kaluarën, e të cilat përdoren me qëllime të caktuara, me synimin që para faktorit ndërkombëtar ta nxjerrin Republikën e Kosovës fajtore për çdo dukuri negative që ndodhë kryesisht në zonën kufitare me Kosovën. Me qëllim të njoftimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe me gjërë, ju bëjmë me dije se asnjë lloj armë e tillë siç është paraqitur në media nuk është përdorur nga autoritetet e Republikës së Kosovës, dhe nuk ka asnjë njoftim nga njësit e Policisë së Kosovës se kanë vërejtur diçka të tillë që është hedhur nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë”, thuhet në sqarimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se janë duke vazhduar patrullimet edhe me njësi të KFOR-it dhe se do të reagojnë në çdo rast e poashtu do të hetohet çdo rast i dyshuar i zjarrit që është shkaktuar nga dora e njeriu.
“Policia e Kosovës me theks të veçantë Policia Kufitare në vazhdimësi është duke patrulluar dhe monitoruar situatën në zonën kufitare, në raste të caktuara patrullimi bëhet edhe me njësit e KFOR-it, dhe të njëjtat njësi do të reagojnë në çdo rast kur vlerësohet e nevojshme për qytetarët dhe faktorët tjerë relevant në teren. Po ashtu institucionet e Republikës së Kosovës do të hetojnë çdo rast për të cilin mund të ketë të dhëna se është shkaktuar nga faktori njeri, pavarësisht në cilën zonë apo vend shkaktohet rreziku”, thuhet në komunikatë.

