13 persona do të dalin para togave të zeza në Sarandë këtë të premte, për t’u njohur me masat e sigurisë, pas vrasjes së bujshme të turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Ksamil.
Mes personave të akuzuar, përpos autorit, janë edhe dy shtetas turq, të cilët e ndihmuan në përpjekjen e tij për t’u arratisur, kamarierë të lokalit dhe disa punonjës sigurie.
Policia ka kryer kontrolle në tre qytete të vendit për kapjen e dy personave të tjerë, të shpallur në kërkim.
Bëhet fjalë për pronarin e lokalit “Principotes” ku nisi sherri fizik dhe një 29-vjeçar i cili dyshohet si bashkëpunëtori kryesor në krim.
Ndërkohë, në dëshminë e tij, 29-vjeçari me inicialet S.V., i cili punonte si truprojë te beach bar-i, ka theksuar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, thika ishte e turistit 20-vjeçar dhe se zanafilla e konfliktit ishte momenti që ai u ka kërkuar një grupi turistësh të mbajnë qetësi, me pretendimin se këta të fundit ishin nën efektin e alkoolit.
Vetë ai, i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditjeje në trup.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Pjesa tjetër nuk është filmuar nga kamerat, për shkak të distancës dhe errësirës.
The post Vrasja e turistit portugez, 13 persona dalin sot para Gjykatës së Sarandës appeared first on Gazeta Express.

