Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se buxheti i ndarë për komunat e Kosovës pritet të rritet në 907 milionë euro në vitin 2027.
Murati ka njoftuar se Ministria e Financave javën e kaluar ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, përmes së cilës përcaktohen kufijtë buxhetorë për secilën komunë.
Sipas tij, rritja e buxhetit komunal është mundësuar nga rritja e të hyrave buxhetore.
“Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave”, ka shkruar Murati.
Ai ka krahasuar nivelin e buxhetit komunal me atë të vitit 2021, duke theksuar se atëherë komunat kishin në dispozicion 546 milionë euro.
“Nga 546 milionë euro sa e kishim gjetur në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat do të shkojë në 907 milionë euro në vitin 2027”, ka deklaruar Murati.
Rritja e paralajmëruar për vitin e ardhshëm përfaqëson një shtesë prej rreth 361 milionë eurosh krahasuar me nivelin e vitit 2021. /Telegrafi/

