Me pankarta në duar, u nisën drejt Kuvendit të Kosovës.
Rinia Demokratike e Kosovës zhvilloi të shtunën një aksion simbolik para objektit të Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit.
Në duar mbanin pankarta me fotografitë e u.d. presidentes Albulena Haxhiu, kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, të cilët i cilësuan si “shkelës të Kushtetutës”.
Kryetarja e RDK-së, Arbnore Salihu, tha se përmes këtij aksioni synojnë t’ua rikujtojnë institucioneve obligimet që burojnë nga Kushtetuta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Në dyert e Kuvendit kemi vendosur tre shkelësit e Kushtetutës. Tre kryesorët. Për me i tregu tri gjëra: çka thotë Kushtetuta, çka ka thënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2025 dhe çka thotë Rregullorja e Kuvendit. Nuk ka nevojë me shpik rregulla të reja. E kur rregullat janë shumë të qarta dhe afatet janë të ditura”, tha Arbnore Salihu.
Sipas saj, Kushtetuta përcakton afatin prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Rregullorja përcakton se ndërprerja e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.
“Kushtetuta parasheh 30 ditë për konstituimin e Kuvendit nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë afat vitin e kaluar, ndërsa Rregullorja thotë se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë”, shtoi ajo.
RDK-ja i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve që ta mundësojnë vazhdimin e seancës konstituive.
“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po e shkelin Kushtetutën e po i bllokojnë institucionet, ua kujtojmë që asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund t’i pranojnë këto lloj shkelje, të cilat po bëhen praktikë e pastaj po na shiten si normalitet. Numrat i keni, thirreni seancën, konstituojeni Kuvendin”, tha Salihu.
Aksioni nga Rinia Demokratike zgjati rreth gjysmë ore.
Pankartat që këta të rinj të PDK-së, i vendosën para kuvendit, nuk qëndruan shumë, më vonë gjatë ditës, dikush ua hoqi.

