Rreth 325 kilogramë marihuanë janë sekuestruar në Selanik të Greqisë, ndërsa dy persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të narkotikëve.
Sipas njoftimit të PK+së thuhet se operacioni, i koduar “ORIENTI”, është zhvilluar pas një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të Kosovës, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Droga dyshohet se ishte nisur me destinacion Turqinë.
“Në këtë operacion ka kontribuar edhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, e cila ka shkëmbyer informacione dhe ka bashkëpunuar me autoritetet e vendeve të përfshira në hetim”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, po ashtu bëhet e ditur se në kuadër të rastit janë ndërmarrë veprime edhe në Kosovë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
“Operacioni është zhvilluar në koordinim edhe me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa rasti konsiderohet pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për goditjen e rrjeteve të trafikimit ndërkufitar të narkotikëve”, thuhet në njofitmin e PK-së. /Zëri

