Ka disa ditë që poston video në rrjetin social “TikTok”.
Por ky që shihet në këto pamje, ishte person në arrati.
Vezir Haziraj, po kerkohej nga organet e rendit për veprën penale “Vrasje në tentative” që ndodhi në fillim të gushtit në Istog.
Pavarësisht videove të publikuara në rrjetet sociale, Haziraj vazhdonte të ishte i pakapshëm për drejtësinë.
Madje në disa video të publikuara, i riu nga Istogu shfaqet i armatosur rëndë.
Për këtë, ekspertët e sigurisë, po kërkojnë që shteti të veprojë me urgjencë.
“Mekanizmat shtetërorë të cilët kanë autorizime për të ndërmarrë veprime në raport me arrestimin dhe vënien e tij para drejtësisë, pa paragjykuar epilogun, do duhej të vepronin shpejtë, në afat rekord, sepse kështu me pamje të tilla, duke sfiduar live mekanizmat e drejtësisë, policinë, prokurorinë vërtetë po i bën dëm në imazh shtetit tonë. Prandaj, shteti duhet të veprojë shpejtë”, tha avokati Valdet Hoxha.
Për kapjen e Vezir Hajrizajt, Policia e Kosovës, pati shpërndarë fotografinë e tij.
Përmes kësaj, policia kërkoi ndihmë për vendndodhjen e tij.
Mirëpo, kjo sipas ish profesorit të lëndëve policore, Refki Morina, nuk duhet të mbarojë me kaq.
“Të gjitha rastet që paraqiten në rrjete sociale, si TIKTOK apo rrjete të tjera, duhet të hulumtohet si rast, për arsye sepse në bazë të TIKTOK-ut apo rrjeteve tjera sociale, mund të jetë ndonjë fotografi që e identifikon vendin ku ai fol. Pastaj, mund të jenë informacione të qytetarëve që mund ta dërgojnë në Polici dhe në këtë mënyrë të identifikohet së pari vendi ku ndodhet kryerësi i veprës penale, dhe pastaj të identifikohet edhe personat që e ndihmojnë, për shkak se kemi raste kur qytetarët kryerësit e veprave penale i fshehin”, deklaroi Morina.
Përveç vendit se ku ndodhej, vazhdon të mbetet enigmë se si ky person i arratisur ushqehej apo ku e karikonte telefonin për paraqitjet live ne rrjetet sociale.
Por sot, gjatë ditës në një video të radhës, paralajmëroi dorëzimin e tij.
Siç ka njoftuar drejtoria rajonale e Policisë në Pejë, për arrestimin e Hazirajt ka pasur bashkëpunim edhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Sipas njoftimit, Haziraj “duke e parë se nuk kishte mundësi largimi është dorëzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjë incident”.
Ndryshe, Vezir Haziraj është emër i njohur për organet e rendit, për shkak të veprave të tjera penale në të kaluarën.

