Një shtetas i Kosovës është arrestuar në Selanik të Greqisë në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të narkotikëve, gjatë të cilit janë sekuestruar 324 kilogramë kanabis.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se operacioni është rezultat i një hetimi disamujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Sipas njoftimit, autoritetet greke kanë ndërmarrë veprime konkrete në Selanik, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për trafikim me narkotikë.
Në mesin e të arrestuarve është edhe shtetasi i Republikës së Kosovës me inicialet A.G.
Gjatë operacionit, Policia greke ka gjetur dhe sekuestruar 324 kilogramë substancë narkotike të llojit kanabis.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë kontribuar në hetim përmes ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe shkëmbimit të informacioneve me autoritetet partnere.
“PSRK dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.

