Ditën e sotme, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, bëri të ditur se, grupi parlamentar i kësaj partie i ka dërguar sërish kërkesë, kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që ta thërrasë vazhdimin e seancës.
Ismaili, gjatë konferencës së tij, deklaroi se, asnjë hapë s’mund të bëhet përpara, ‘’duke ecur jashtë Kushtetutës’’.
“Sot dua t’ju njoftoj se grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër më 16 gusht. Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Por në njëjtën kohë, Kosova nuk mundet të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht”, ka deklaruar sot Ismaili.
Në anën tjetër, përgjigja ishte e menjëhershme nga ana e Deharit. Ky i fundit përmes një postimi në Facebook, tha se i mirëpret ftesat për takime që Albin Kurti e Albulena Haxhiu i kanë bërë për partitë politike, duke thënë se të njëjtat duhet të ‘’ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë’’ që u takon.
‘‘Pas qëndrimit të ri të LDK-së, mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve. Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë’’, ka thënë ai mes tjerash në postimin e tij.
The post PDK i çoi letër të re që të thërras vazhdimin e seancës për nesër, Dehari refuzoi menjëherë appeared first on Gazeta Express.

