Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës që të thirret seanca konstituive, duke deklaruar se tashmë janë tejkaluar të gjitha afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Hamza, i cili ka folur para deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, ka kritikuar qasjen e pushtetit lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve.
“Sot këtë seancë është dashur ta udhëheqë kryesuesi i Kuvendit. Jemi të gjithë këtu, së bashku me deputetët tanë dhe të Aleancës, pasi Kurti, Haxhiu dhe Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk e kanë kaluar kurrë”, tha Hamza, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se afatet, sipas tij, nuk janë vendosur nga opozita, por nga Kushtetuta, duke e cilësuar situatën aktuale si krizë kushtetuese.
“Jo në afat të vendosur nga PDK-ja e opozita, por nga Kushtetuta, të cilën e kanë suspenduar. Sot nuk kemi krizë politike, por krizë kushtetuese. Institucionet po funksionojnë në një terren të pasigurt, ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet”, deklaroi ai.
Kreu i PDK-së u bëri thirrje partive politike që të procedojnë me konstituimin e Kuvendit, duke thënë se interesat e institucioneve duhet të jenë mbi ato partiake.
“I ftoj nga këtu: hajde ta konstituojmë Kuvendin. Partitë vijnë e shkojnë, qeveritë vijnë e shkojnë, por Republika e Kosovës duhet të mbetet. Dhe kjo Republikë mbetet kur respektohet Kushtetuta”, tha Hamza.
Ai gjithashtu i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, që të heqë dorë nga, siç i cilësoi ai, veprimet antikushtetuese. /Telegrafi/

