Këshilli Federal i Zvicrës ka rekomanduar rrëzimin e nismës “Compass”, e cila kërkon që paketa e re e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian të miratohet si nga shumica e qytetarëve, ashtu edhe nga shumica e kantoneve.
Qeveria zvicerane argumenton se kërkesa për një referendum të detyrueshëm me “dyfishin e shumicës” është e paqartë dhe mund të krijojë pasiguri juridike.
Këshilli Federal propozon që marrëveshjet e reja me BE-në të miratohen vetëm përmes një shumice popullore. Sipas qeverisë, kërkesa për miratimin e shumicës së kantoneve do të ishte antikushtetuese.
Nisma “Compass” mbështetet nga grupi “Compass Europe”, i cili kundërshton marrëveshjet e reja me BE-në. Në mesin e mbështetësve të saj janë edhe sipërmarrësit dhe miliarderët zviceranë Alfred Gantner, Marcel Erni dhe Urs Wietlisbach, nga kompania financiare Partners Group.
Ministri i Drejtësisë, Beat Jans, paralajmëroi se miratimi i nismës pas një votimi pozitiv për paketën e marrëveshjeve me BE-në mund të shkaktonte një situatë të paqartë juridike. Sipas tij, marrëveshjet e reja, të njohura si Bilaterale III, mund të mbeteshin në një gjendje pasigurie nëse nuk do të ishin miratuar më herët edhe nga kantonet.
Çështja tani kalon në parlamentin zviceran, ndërsa debati për një referendum të detyrueshëm mbi marrëveshjet e reja me BE-në pritet të vazhdojë gjatë vjeshtës. /Albinfo.ch
The post Zvicër: Qeveria kundërshton nismën “Compass” për marrëveshjet me BE-në appeared first on Gazeta Express.

