Arsenali është i gatshëm të shqyrtojë oferta për të paktën pesë lojtarë që mund të largohen nga klubi gjatë kësaj vere, raportojnë mediat, teksa Mikel Arteta ka kthyer vëmendjen te largimet.
“Topçinjtë” kanë afruar katër lojtarë këtë verë, përfshirë kapitenin e Newcastle, Bruno Guimaraes, për rreth 86 milionë euro. Ndërkohë, Christos Tzolis iu bashkua klubit nga Club Brugge për rreth 40 milionë euro, ndërsa Illan Meslier u transferua si alternativë për portën pas përfundimit të kontratës me Leeds.
Gjithashtu, Piero Hincapie u transferua përfundimisht nga Bayer Leverkusen pas huazimit të suksesshëm të sezonit të kaluar, për rreth 39 milionë euro, plus bonuse.
Megjithatë, Arteta dëshiron ende të përforcojë skuadrën, veçanërisht në sulm, pas dështimit për të transferuar yllin e Real Madridit, Vinicius Junior, ndërsa nuk përjashtohet as afrimi i një qendërmbrojtësi.
Sipas BBC Sport, Arsenali është i gatshëm të lejojë largimin e Gabriel Martinellit, nëse për të vjen një ofertë e kënaqshme pas rikthimit të tij nga angazhimet me Brazilin në Kupën e Botës.
Edhe bashkëkombësi i tij, Gabriel Jesus, është i lirë të largohet, ndërsa e njëjta situatë vlen edhe për mesfushorin portugez Fabio Vieira.
Ky i fundit nuk ka luajtur për Arsenalin që nga viti 2024 dhe ka kaluar në huazim te Porto dhe Hamburgu.
Në listën e lojtarëve që mund të largohen është edhe Ethan Nwaneri, 19-vjeç, i cili është rikthyer nga huazimi te Marseille.
Ndërkohë, Reiss Nelson mund të transferohet te West Ham, klub që sapo ka rënë nga Liga Premier.
Sipas The Athletic, Arsenali ka zhvilluar bisedime me “Çekanët”, ndërsa trajneri Nuno Espirito Santo kërkon të përforcojë repartin ofensiv. /telegrafi

