Më 13 gusht të vitit 2001 pala maqedonase dhe shqiptarë, u takuan në Ohër.
Krejt kjo për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut.
E kjo u arrit me nënshkrimin e një dokumenti, i cili më pas do të njihej edhe si Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
Firma që u hodhën palët në këtë dokument 25 vjet më parë, po shihet si bazë e mirë për atë që do të sjell çerekshekulli i ardhshëm.
Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, për Tëvë1, tha të mërkurën se ndryshimet shoqërore kërkojnë që marrëveshja të përshtatet me kohën.
“Mendoj që në 25 vitet e ardhshme të orientojmë këtë lloj marrëveshje apo t’i shtojmë edhe disa pika që të adaptohemi gjeneratave të reja, sepse 25 vite janë të mjaftueshme që të kemi dallime gjeneratash”, u shpreh Ferati.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti, thotë se për shqiptarët në këtë shtet, nuk mjaftojnë vetëm të drejtat elementare.
“Ne duhet jo vetëm në realizimin e të drejtave elementare, por duhet të marrim hisen tonë edhe në buxhet, hisen tonë edhe në ekonomi, për shkak se ekonomia e determinon politikën dhe në këtë drejtim, në këto dy vite qeverisje, e kemi pasur në fokus”, tha Mexhiti.
Por, 25 vite pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, nuk mungojnë as kritikat për mënyrën se si është zbatuar ajo.
“Maqedonia ka bërë përparime shumë të mëdha në këtë periudhë. Gjithsesi, ka pasur probleme në rrugëtimin e vet, sidomos në Unionin Evropian, por shqetësuese janë disa çështje që po ngrihen në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Në raste të tilla është mirë që të flitet edhe për pasojat e mundshme”, tha profesori universitar, Aziz Pollozhani.
“Nuk ka qenë një ecje e lehtë, mund të them që ka qenë një ecje e ngadaltë me pengesa që nuk kanë munguar…”, u shpreh Demush Bajrami – profesor universitar.
Megjithatë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, po vlerësohet se i dha fund një periudhe të rrezikshme për vendin.
“Historia bëhet me data dhe me fakte dhe kjo është një datë shumë e rëndësishme historike, e cila na rrëfen kohës së sotme dhe brezave që do të vijnë për një fakt shumë të rëndësishëm: shmangien e një lufte, një konflikti të përgjakshëm”, tha, Ilir Kulla njohës i marrëdhënieve të gjeopolitikës dhe sigurisë.
Ndryshe, konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut zgjati rreth 7 muaj, nga janari i vitit 2001 deri më 13 gusht të po atij viti.

