Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur qëndrimin e prerë të partisë së tij karshi ftesës për takim nga kryeministri Albin Kurti.
Gjini ka theksuar se Aleanca nuk do të bëhet pjesë e bisedimeve të mbyllura prapa dyerve të zyrave.
Kreu i Aleancës u shpreh i ashpër ndaj kësaj ftese, duke bërë të qartë se takimet e fshehta shërbejnë vetëm si hapësirë për manipulime dhe interpretime të rreme pas përfundimit të tyre.
“Nuk takohem me të vetëm në zyrë e me dalë me rrejtë si të kryhet takimi. Aleanca i ka tregu çka po dojmë na”, deklaroi prerazi Gjini në Kanal 10.
Gjini ka vendosur një kusht të prerë, duke kërkuar që çdo lloj diskutimi politik të bëhet ekskluzivisht në mënyrë transparente dhe me praninë e plotë të kamerave.
Sipas tij, vetëm transmetimi i drejtpërdrejtë televiziv garanton që opinioni publik të dëgjojë të vërtetën dhe eliminon mundësinë që të gënjehet pas takimit.
Në këtë formë, kryetari i Aleancës la të kuptohet se qëndrimet e subjektit të tij janë tashmë të qarta dhe nuk ka asnjë arsye që ato të diskutohen privatisht nëpër zyra.
Në fund të kësaj deklarate, Gjini nuk ka kursyer as ironinë në llogari të kryeministrit Kurti. Duke bërë shaka me insistimin e mundshëm për takime, ai shtoi se, nëse Kurti kërkon edhe një herë takim me të, do ta dërgojë nënkryetaren e partisë, Time Kadrijaj, së bashku me një dhuratë simbolike.
“Nëse kërkon edhe një herë takim me mu, ka me i thanë e delegoj Time Kadrijajn, është nënkryetare e Aleancës, edhe ia jap edhe një tabellë me vezë”, përfundoi me humor Gjini.

