Policia e Kosovës gjatë një operacioni policor më 11 gusht ka sekuestruar tre kilogramë marihuanë, vetura dhe telefona celularë.
Zyrtarët policorë u detyruan të përdorin edhe armën e zjarrit, pasi që të dyshuarit nuk u janë bindur urdhrave zyrtar, me ç ’rast kanë goditur zyrtarët policorë.
Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve, ka lokalizuar dhe vënë nën vëzhgim dy automjete të dyshuara me targa vendore që dyshohej se po transportonin substanca narkotike nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.
“Më datën 11.08.2026, Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN), ka lokalizuar dhe vënë nën vëzhgim dy automjete të dyshuara me targa vendore që dyshohej se po transportonin substanca narkotike nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës. Gjatë tentativës për ndalim, të dyshuarit nuk u janë bindur urdhrave zyrtar, me ç’rast kanë goditur zyrtarët policorë në uniformë, ku me qëllim të neutralizimit të rrezikut zyrtarët policorë kanë përdorur pajisjen zyrtare (armën e zjarrit). Automjetet e dyshuara të përfshira në rast janë arritur që të ndalohen nga njësitë policore, ku gjatë kontrollit në njërën nga to është gjetur dhe sekuestruar rreth 3 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë”, thuhet në raport.
Në vazhdën e operacionit policor lidhur me rastin janë realizuar gjithsej tri bastisje në lokacione të ndryshme, ku në cilësi të provave relevante për rastin po ashtu janë sekuestruar 0.7 gram substancë e dyshuar narkotike po ashtu e llojit Marihuanë, dy automjete dhe dy telefona celularë.
Për të gjitha veprimet operative lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent me urdhër të të cilit personat e dyshuar pas arrestimit dhe nënshtrimit ndaj procedurave të tjera ligjore janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

