Presidenti Donald Trump tha se kishte ndjekur udhëzimet e Shërbimit Sekret të SHBA-së dhe ushtrisë kur muajin e kaluar ndërroi fshehurazi avionin në Turqi, duke përdorur një kamion të furnizimit me ushqime për t’u fshehur nga publiku.
“Unë thjesht ndjek atë që duan ata të bëj. Pra, veproj sipas Shërbimit Sekret dhe ushtrisë. Ata donin që të udhëtoja me një fluturim tjetër, një avion tjetër, me të njëjtin nivel sigurie, por donin që ta bëja këtë, kështu që e bëra. Unë bëj atë që më thonë”, u tha Trump gazetarëve teksa mbërriti në Bazën e Përbashkët Andrews nga Ohajo.
Trump tha se nuk i ishin dhënë shumë detaje lidhur me arsyen që e kishte bërë të nevojshëm këtë manovrim të fshehtë. “Besoj se kishte një kërcënim. Nuk pyeta shumë për këtë. Marr shumë kërcënime”, tha ai.
I pyetur pse konsiderohej tepër e rrezikshme që ai të fluturonte me Air Force One, por jo për anëtarët e mediave, Trump tha se çdo avion me të në bord ka më shumë gjasa të jetë objektiv.
“Madje mendoj se avioni me të cilin fluturova ishte në rrezik më të madh… Sepse mendoj se ai do të ishte avioni që ata do të kishin më shumë gjasa ta godisnin”, tha ai.
Presidenti tha se nuk ishte befasuar kur Shërbimi Sekret i kërkoi të ndërronte avionin në mënyrë të fshehtë.
I pyetur nëse ishte i shqetësuar për mundësinë e një sulmi me raketë të lëshuar nga supi gjatë largimit të tij nga Turqia, Trump tha se në përgjithësi nuk shqetësohet për gjëra të tilla: “Unë nuk shqetësohem për asgjë, për të qenë i sinqertë. Çfarëdo që të jetë, e dini qëndrimin tim? Çfarëdo që të ndodhë”.
The New York Times dhe The Wall Street Journal kanë raportuar se ndërrimi i avionit nga Trump u shkaktua nga një komplot iranian për ta goditur Trumpin me një raketë portativ, teksa ai po largohej nga Samiti i NATO-s.
The post Ndërroi fshehurazi avionin në Turqi përmes një kamioni të furnizimit, Trump: Ndoqa këshillat e Shërbimit Sekret appeared first on Gazeta Express.

