Pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka nisur procedurë kundër katër personave nga fshati Dobërdoll, Komuna e Vrapçishtit, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.4
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, mbrëmjen e 31 korrikut, gjatë një ahengu familjar në oborrin e një shtëpie në fshat, kanë përdorur armë zjarri – tre pistoleta dhe një pushkë të markës dhe kalibrit të panjohur, duke shtënë në ajër.
Me këtë veprim, ata kanë rrezikuar jetën e një numri të madh të të pranishmëve në dasmë.
Duke qenë se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik arratisjeje për secilin nga të dyshuarit, ndërsa njëri prej tyre, përveç shtetësisë së Maqedonisë së Veriut, posedon edhe shtetësi sllovene, prokurori publik i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gostivar caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit.

