Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mërkurën patën mbledhjen e fundit për zgjedhjet e 7 qershorit.
Pas konsumimit të të gjitha afateve për ankesa, anëtarët, unanimisht, pas një muaji nga zgjedhjet, e certifikuan rezultatin, duke u konfirmuar përfundimisht, mandatet për secilën parti.
“Vetëvendosje 53 deputetë. PDK, 22. LDK, 18. AAK 7 deputetë”, ka theksuar Kreshnik Radoniqi, Kryetar i KQZ-së.
Po ashtu, KQZ zëvenësoi edhe dy kandidatë të AAK-së, të cilët hoqën dorë nga pozita e deputetit.
“Ardian Gjini e Daut Haradinaj zëvendësohen me Bekë Berishën e Burim Ramadanin”.
Me kryerjen e procedurës së fundit për zgjedhjet – certifikimin, fillon edhe rrjedhja e afateve për institucione, fillimisht për Kuvendin.
“Nga dita e nesërme e deri më 9 gusht, partitë kanë kohë për konstituimin e kuvendit”, ka deklaruar Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.
Pastaj, kurdo që arrihet konstituimi, nisin edhe afatet e tjera: Qeveri e President, për të cilat, ditët janë të limituara.
“Për Presidentin janë 60 ditë që nga konstituimi. Ndërsa, për qeverinë, gjithsej 40 ditë. 15 ditë janë për mandatarin e parë, 15 të tjera për mandatarin e dytë”.
Rreth dy orë pas certifikimit, në selinë e PDK-së, u paraqit kryetari Bedri Hamza. Por, nga ky subjekt politik, refuzuan të përgjigjen nëse janë të gatshëm që tash, të fillojnë bisedime me partinë e parë.
Ndërsa në LDK, të mërkurën pati edhe më pak lëvizje.
Sidoqoftë, as nga Lëvizja Vetëvendosje që është parti e parë, të mërkurën nuk u deklaruan rreth bisedimeve eventuale për institucione, ndonëse Kurti pati deklaruar që për këtë punë, po e prisnin veç certifikimin.
“Posa të certifikohet rezultati, fillojnë bisedimet menjëherë”, kishte deklaruar Kurti.
Megjithëkëtë, seanca konstituive duhet të ftohet nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

