Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi e ai i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi lanë punët e tyre, gjatë së martës për të shkuar në zyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut.
Aty përveç Haxhiut, e pranishme ishte edhe ministrja në detyrë e drejtësisë Donika Gërvalla.
Për takimin njoftoi vetë Haxhiu, tek tha se temë diskutimi ishin reformat në sistemin e drejtësisë si dhe çështje të tjera me rëndësi për funksionimin efikas, profesional dhe të pavarur të institucioneve të drejtësisë por pa dhënë detaje më shumë.
“Sot së bashku me Zëvendëskryeministren dhe ministren, Donika Gërvalla-Schëarz, takuam Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Rrustem Thaqi dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, ku diskutuam për zhvillimet dhe prioritetet kryesore në fushën e drejtësisë, si dhe për hapat e nevojshëm në forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit. Gjatë takimit u diskutuan reformat në sistemin e drejtësisë si dhe çështje të tjera me rëndësi për funksionimin efikas, profesional dhe të pavarur të institucioneve të drejtësisë. Bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet thelbësor për një sistem të drejtë, profesional dhe të besueshëm”, ka deklaruar ajo.
Në njoftimin për takimin e njëjtë, Donika Gërvalla, tha se “zhvillimet aktuale në sistemin e drejtësisë dhe prioritetet strategjike të institucioneve të pavarura të drejtësisë ishin në fokus të diskutimit.”
Në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku aktualisht është duke u zhvilluar një ndër konkurset më të rëndësishme, ai për kryeprokuror të shtetit, nuk u përgjigjen nëse ndër temat e diskutimit kishte qenë edhe kjo.
Ndërkohë as zv.ministri në detyrë Genc Nimoni, nuk u përgjigj për këtë por vetëm tha se takimet janë për çështje bashkëpunimi ndërinstitucional.
“Për çështje bashkëpunimi, kordinimi ndërinstitucional, madje ministrja Gërvalla disa herë është prononcuar për këtë temë, mendoj se jemi në fazë të mirë të bashkërendimit të çështjeve që shkojnë në kontribut të reformës në drejtësi…Gjithmonë mendoj se duhet të ketë takime të mira që janë në interes të sistemit të drejtësisë, ishte edhe kryesuesi i këshillit gjyqësor të kosovës aty ishte takim i krerëve të drejtësisë dhe natyrisht se këto takime kanë munguar të mbahen dhe është shumë të mbahen”, ka theksuar Nimoni.
Por, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se takimet e tilla nuk janë të nevojshme por duhet të plotësohen kërkesat që kanë institucionet e sistemit të drejtësisë.
“Sot ne nuk e kemi të qartë nëse në këtë takim janë trajtuar kërkesat e drejta e legjitime të këshillit gjyqësor e Këshillit Prokurorial të Kosovës për buxhet shtesë duhet me kuptu se partia në pushtet në vazhdimësi pothuajse ua ka reduktuar apo nuk ua ka plotësuar kërkesat buxhetore të KPK-së e KGJK-së me më shumë se 30% të kërkesave të tyre”, ka deklaruar Ehat Miftaraj- Drejtor i IKD-së.
Që nga fillimi i ardhjes në detyrë si ministre e drejtësisë, Donika Gërvalla vazhdimisht ka zhvilluar takime në Prokurori Themelore si dhe në Gjykatat Themelore nëpër komuna të Kosovës.

