Prodhuesit vendorë mbeten një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por përballen me sfida të shumta që po e vështirësojnë rritjen e industrisë dhe konkurrencën me tregjet rajonale e ndërkombëtare.
Kështu ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në një intervistë në podcastin “Përballje”, ku foli për gjendjen e prodhimit vendor, sfidat me të cilat po përballen bizneset dhe pritjet nga institucionet e vendit.
– YouTube www.youtube.com
Sipas tij, prodhuesit kosovarë kanë dëshmuar se mund të krijojnë produkte me standarde të larta, të afta për të konkurruar edhe në tregjet evropiane, por mungesa e politikave zhvillimore po pengon shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit.
“Është një ndjenjë krenarie kur flasim për ata që e zhvillojnë vendin tonë, që janë prodhuesit vendorë të Kosovës. Sot kemi kompani që prodhojnë produkte cilësore dhe konkurrojnë me kompani globale, madje kanë depërtuar edhe në tregjet evropiane. Por këto raste ende janë të pakta dhe duhet të kemi shumë më tepër”, tha Ajvazi shkruan Telegrafi.
Megjithatë, ai theksoi se Kosova vazhdon të mbetet një ekonomi e varur nga importi.
Sipas tij, për çdo euro që Kosova eksporton, importon rreth shtatë euro mallra, ndërsa industria përpunuese prej vitesh mbetet në të njëjtin nivel në raport me Bruto Produktin Vendor
“Për çdo një euro që prodhojmë dhe eksportojmë, importojmë rreth gjashtë euro e gjysmë deri në shtatë euro. Kjo tregon një hendek shumë të madh dhe dëshmon se duhet të punojmë shumë më tepër për ta zëvendësuar importin me prodhim vendor”, u shpreh ai.
Ajvazi renditi një sërë sfidash që, sipas tij, po e rëndojnë sektorin e prodhimit. Ndër to janë rritja e kostove të energjisë elektrike, çmimet e lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore, inflacioni, qasja e vështirë në financim dhe mungesa e konsultimit të bizneseve gjatë hartimit të politikave publike.
Ai tha se dalja e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike ka krijuar barrë të konsiderueshme financiare për prodhuesit, ndërsa rritja e çmimeve të gazit dhe derivateve ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e prodhimit.
“Kur rriten kostot e energjisë, gazit dhe transportit, ne bëhemi menjëherë më pak konkurrues, jo vetëm ndaj importeve, por edhe ndaj prodhuesve në rajon, sepse shtetet e tjera përdorin politika stimuluese për industrinë”, tha Ajvazi.

Një tjetër problem që ai ngriti është mungesa e fuqisë punëtore, e cila, sipas tij, është përkeqësuar nga emigrimi i qytetarëve në vitet e fundit.
“Vështirësia për të gjetur punëtorë është bërë një nga problemet më serioze të prodhuesve. Edhe pse pagat në sektorin prodhues janë mbi mesataren në Kosovë, kompanitë vazhdojnë të kenë vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore”, deklaroi ai.
Ajvazi kritikoi edhe mungesën e një strategjie shtetërore për industrinë prodhuese, duke thënë se, ndonëse është hartuar një draft që në vitin 2023, ai ende nuk është miratuar.
“Kosova ende nuk ka strategji të miratuar për industrinë prodhuese. Ka vetëm një draft, ndërsa ne kemi nevojë për veprime konkrete dhe politika afatgjata që e bëjnë industrinë më konkurruese”, tha ai.
Sipas tij, prodhuesit nuk kërkojnë trajtim preferencial apo subvencione të pakushtëzuara, por një partneritet të mirëfilltë me institucionet dhe përfshirje në procesin e vendimmarrjes.
“Ne nuk po kërkojmë që shteti të bëjë gjithçka për ne. Po kërkojmë bashkëpunim. Kur hartohen ligjet dhe politikat që prekin sektorin prodhues, ne duhet të jemi pjesë e procesit. Kërkojmë veprime konkrete, jo vetëm premtime”, theksoi Ajvazi.
Ai shtoi se zhvillimi i prodhimit vendor mbetet mënyra më e mirë për të ulur deficitin tregtar dhe për të krijuar një ekonomi më të qëndrueshme.
“E vetmja mënyrë për ta ulur deficitin tregtar është të prodhojmë më shumë. Për ta bërë këtë, na duhen politika që e mbështesin industrinë prodhuese dhe krijojnë kushte që bizneset të investojnë e të rriten”, përfundoi Ajvazi./Telegrafi/.

